Masat për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Danimarkë

09/10/2014 00:00

Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë kanë bërë publik planin e masave për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Danimarkë që zhvillohet ditën e shtunë, në 11 tetor.

Për shkak të rëndësisë, Policia e Elbasanit ka kërkuar dhe ka marrë mbështetjen edhe të Drejtorisë së Përgjitshme të Policisë me kapacitet njerëzor dhe tenik. Drejtori Neritan Nallbati tha se tashmë është organizuar gjithçka për mbarëvajtjen e ndeshjes si dhe ruajtjen e rendit dhe të qetësisë.

“I bëj një thirrje qytetarëve të Elbasanit: dita e ndeshjes të konsiderohet një ditë pa makina. Përveç masave që do të marrë policia, ne këshillojmë që të kufizohet lëvizja me mjete”, theksoi zoti Nallbati.

Nallbati gjithashtu vuri në dukje se do të bëhet kontrolli fizik i të gjithë tifozëve, të cilëve nuk do u lejohet asnjë send i fortë me vete, veç telefonit celular. Gjithashtu, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium personat të identifikuar nga policia si problematike.

Në orën 16:00 të ditës së shtunë do të nisë kontrolli i të gjithë stadiumit dhe rreth tij nga policia e Elbasanit, garda dhe specialistët antieksploziv. Në oren 17:00 do të nisë hyrja e tifozëve.

Stadiumi “Elbasan Arena” ka një kapacitet prej 12 500 vendesh ku vetëm 250 do të jetë për tifozët e Danimarkës, për të cilët janë marrë edhe masat për përcaktimin e vendparkimeve.

Top Channel