Fitore e vështirë e Bayernit në Moskë

30/09/2014 00:00

Bayern Munchen vazhdon me ecurinë perfekte pas dy ndeshjeve të para të Champions League, këtë sezon, duke mposhtur me rezultat minimal CSKA-në e Moskës në Rusi.

Gjysmëfinalistët e sezonit të kaluar dominuan me kontrollin e topit prej fillimit e deri në fund, megjithatë ishte vetëm penalltia e realizuar nga Thomas Muller në mesin e pjesës së parë, ajo që i dhuroi fitoren në transfertë bavarezëve.

Rusët zhvilluan një ndeshje shumë herë më të mirë, krahasuar me shkatërrimin që pësuan 5-1 në Romë dy javë më parë, por nëse do të kishin edhe fatin me vete, do të kishin mundur të rrëmbenin të paktën 1 pikë, po t’i kishin konkluduar më mirë rastet e dhëna.

Edhe pse CSKA-ja vinte me probleme dëmtimesh dhe pezullimesh, sërish për Bayernin dukej si një sfidë tepër e vështirë, dhe e tillë u tregua edhe në fushë, kur u desh minuta e 22-të që portieri Igor Akinfeev të thirrej “në detyrë”. Ishte pikërisht çasti i 11-metërshit të shkaktuar nga ndërhyrja e gabuar e Mario Fernandez ndaj Mario Gotzes në zonën e rreptësisë, të cilin e ekzekutoi më së miri Muller.

Ky ishte edhe takimi i 23-të për Akinfeev në Champions League, në të cilat nuk ka mundur ta ruajë rrjetën të paprekur.

Top Channel