Turneu i brixhit në Durrës

28/09/2014 00:00

Në plazhin e Durrësit u zhvillua këtë fundjavë një turne miqësor ndërkombëtar i lojës brixh.

35 brixhistë, antarë të një klubi norvegjez, mbërritën në Shqipëri për të marrë pjesë në këtë turne.
 
“Të lidhesh me ura kulturore njerëzit përtej kufijve është një nga pjesët më të rëndësishme dhe emocionuese të kësaj loje. ‘Make bridge, not ëar” (“Ndërto urë, jo luftë”). Vitin e ardhshëm në Norvegji do të zhvillohet Kampionati Europian i Brixhit dhe ne shpresojmë që brixhistë nga Shqipëria do të jenë pjesëmarrës në të”, tha Oystein Mauritzsen, drejtues i klubit norvegjez të brixhit.

Edhe pse kjo loje njihet pak ne vendin tone, Federata Shqiptare e Brixhit synon që ta promovojë këtë sport të mendjes, duke nxitur përmes tij edhe turizmin e ushtrimit të hobeve në vendin tonë.

“Promovohet turizmi sepse këto janë llojet e turizmit më të preferuara sot në botë. Kjo do të thotë, turizmi i bazuar në hobet e njerëzve. Shpresat e evoluara, të paktën të Europës, duan të kalojnë kohën e lirë në mënyrë cilësore dhe nuk është vetëm deti qa i tërheq ata”, tha Kostandin Kapo, president i FSHB-së.

Çelja e turneut përkoi me Ditën Botërore të Turizmit. Zv.ministri, Alfred Dalipi duke përshëndetur turneun premtoi mbështetjen e ministrisë për organizimin e një turneu ndërkombëtar vitin e ardhshëm në Shqipëri.

“Data 27 shtator është dita ndërkombëtare dhe botërore e turizmit dhe prezenca juaj në ballafaqimin me Federatën Shqiptare te Brixhit është një ditë e shënuar edhe për turizmin shqiptar. Me federatën kemi një bashkëpunim të gjatë. Jemi duke përpunuar idetë për një kampionat ndërkombëtarë të financuar nga ministria dhe nga autoritetet shqiptare. Shpresojmë që disa prej jush t’i kemi sërish në Shqipëri dhe të shijoni pak më shumë nga mikpritja dhe nga çka ofron Shqipëria për të huajt”, u shpreh Alfred Dalipi.

Në mënyrë simbolike, Dalipi shpërndau pasaportat e turizmit shqiptar për lojtarët norvegjezë.

Përballë lojtareve norvegjezë në tavolinat katërshe të brixhit kanë luajtur 10 lojtarë profesionistë të brixhit shqiptar, të cilët shprehën optimistë për turneun, duke sjellë në vëmendje dhe fitoren me skuadrën kampione të botës në brixh, disa vite më parë.

Top Channel