Martino lë sërish jashtë Tevezin

23/09/2014 00:00

Kapiteni i Argjentinës Lionel Messi nuk mund të mos mungonte në listën e kombëtares “albiceleste”, tashmë nën drejtimin e teknikut Gerardo “Tata” Martino, për miqësoret ndaj Brazilit dhe Hong Kongut, ndërsa sulmuesi i Juventusit Carlos Tevez, pavarësisht presionit të medias dhe raportimeve paraprake për një rikthim të tij, ka ngelur sërish jashtë.

27-vjeçari i Barcelonës është rikthyer pas një dëmtimi të lehtë që e la atë jashtë ndeshjes së parë të Argjentinës nën drejtimin e ish-teknikut të katalanasve Martino, në miqësoren e fituar 4-2 ndaj kampionëve të botës, Gjermanisë.

Tevez mungon në listën prej 19 lojtarësh të shpallur të hënën, edhe pse fillimisht u bë e ditur se ai do të rikthehej pas një mungese 3-vjeçare me kombëtaren. Sulmuesi 30-vjeçar u la jashtë konsiderate nga ish-trajneri Alejandro Sabella, por duket se edhe pasardhësi i tij po ndjek të njëjtin kurs, pavarësisht se më herët u bë e ditur se ai ishte impresionuar nga paraqitja e tij me Juventusin.

Tevez shënoi 13 gola në 64 ndeshje për Argjentinën mes viteve 2004-2011, përpara se të lihej jashtë. Ai ka fituar Premier Leaguen me Manchester United në vitet 2008 dhe 2009, ashtu sikurse edhe Championsin në 2008, përpara se të ngrinte për herë të tretë trofeun e kampionit të Anglisë me Manchester Cityn në 2012. Aktualisht, me Juventusin fitoi Serie A sezonin e kaluar, ndërsa në vitin 2003 triumfoi në Libertadores me Boca Juniorsin. Lojtari i lindur në Buenos Aires është gjithashtu edhe 3 herë “Lojtari i vitit” në Amerikën e Jugut, në vitet 2003-2005.

Ja lista e plotë:

Portierë: Sergio Romero (Sampdoria) Nahuel Guzman (Tigres UANL).
Mbrojtës: Mateo Musacchio (Villarreal), Pablo Zabaleta (Man. City), Martin Demichelis (Man. City), Marcos Rojo (Man. Utd), Santiago Vergini (Sunderland), Federico Fernandez (Swansea City).
Mesfushorë: Javier Mascherano (Barcelona), Lucas Biglia (Lazio), Javier Pastore (PSG), Roberto Pereyra (Juventus), Angel Di Maria (Man. Utd), Erik Lamela (Tottenham Hotspur), Enzo Perez (Benfica), Nicolas Gaitan (Benfica).
Sulmues: Lionel Messi (Barcelona), Sergio Agüero (Man. City), Gonzalo Higuain (Napoli).

Top Channel