Lufta në Ukrainë kthen një kampion në Superiore

09/09/2014 00:00

Dy gola në dy ndeshje të fituara. Nuk mund të kishte fillim më të mirë tek ekipi i Tiranës për Elis Bakajn.

Futbollisti i talentuar shqiptar, për shkak të luftës, braktisi Ukrainën për t’u kthyer në vendlindje.

Fillimet e karrierës i pati tek ekipi i Partizanit, ku paraqitjet mbresëlënëse e bindën Federatën shqiptare të Futbollit për ta thërritur në ekipin kombëtar, kur ishte vetëm 20 vjeç.

Dinamo do të ishte stacioni tjetër i Elisit, në Kategorinë Superiore. Pas këtyre eksperiencave, ku ai u shpall dy herë “Lojtari më i mirë i Vitit”, fitoi Kupën dhe kampionatin, futbollisti kryeqytetas zhvendoset në Rumani.

Me aktivizimin te Dinamo e Bukureshtit, ai u bë një tjetër shqiptar i suksesshëm i futbollit rumun. Megjithëse kryeqyteti rumun hyri në zemër të Elisit, ai pas vetëm një viti e gjysmë largohet drejt Ukrainës, ku për tre vjet u aktivizua në radhët e Chornomorets Odessa.

Gjatë kësaj kohe, ai fatkeqsisht nuk arriti të shpallej kampion i Ukrainës, por gjithnjë ishte në qendër të vëmendjes për paraqitjet e tij të mira. Në Ukrainë, Elisi kishte pak Rumani me vete. Andrea është e dashura e tij, e cila ka ardhur edhe në Shqipëri për të qëndruar pranë njeriut të saj të zemrës.

Rikthimi në fushat shqiptare duket se ka qenë një ogur i mirë për futbollistin 27-vjeçar, i cili po rikthehet shpejt në formën e dikurshme.

Top Channel