Partizani blen Vilën

05/08/2014 00:00

Emiljano Vila është zyrtarisht futbollist i Partizanit. Mesfushori i kombëtares kuqezi ka arritur marrëveshjen me “Demat” dhe do të jetë pjesë e tyre në sezonin e ri futbollistik.

Në kohën kur pritej te Kukësi, presidenti i të cilit thuhej se i kishte afruar 80 mijë euro, futbollisti durrsak ka bërë zgjedhjen e tij duke iu bashkuar 15 herë kampionëve të vendit.

“Kur më bëri ofertë Presidenti tek Partizani, erdha për të dalë kampion dhe shpresoj që me pak fat të dalim sa më mirë, të dalim kampionë”, tha Vila në konferencën e prezantimit.

Ai është prezantuar paraditen e së martës në ambientet e klubit Partizani si një përforcohim i rëndësishëm për kryeqytetasit.

“Besoj se ky do të jetë kampionat më i bukur dhe nuk bëhem pishman që u riktheva. Kisha disa oferta nga Greqia por nuk u plotësuan kushtet e mia”, shton mesfushori i kombëtares.

26-vjeçari ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjeter sezon. Pas përvojës në kampionatin grek, tek skuadra e Pas Janinës, Vila aktualisht edhe pjestar i ekipit tonë përfaqësues. Ai rikthehet në Kategorinë Superiore me fanellën e Partizanit pas aventurave të mëparshme në vend me Teutën dhe Dinamon.

Top Channel