Brazili ndihet i ofenduar nga Kili

27/06/2014 00:00

Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) i është përgjigjur deklaratave që kanë bërë ditët e fundit lojtarët e Kilit, të cilët kanë thënë se më shumë sesa Brazilin, kanë frikë nga arbitrimi i ndeshjes së ditës së shtunë.

Alexis Sanchez deklaroi ditën e enjte se është i shqetësuar për performancën e arbitrit, duke ndjekur të njëjtën linjë si presidenti i Federatës së Futbollit të Kilit dhe sulmuesi Valdivia, të cilët më parë kishin nënvizuar se arbitri mund të kthejë ndeshjen në favor të mikpritësve të Botërorit.

Deklarata të tilla janë konsideruar fyese nga Brazili. Rodrigo Paivaa, drejtorit i Komunikimit i Seleçaos, doli në konferencë shtypi për të bërë me dije indinjatën e një kombi të tërë.

“Këto deklarata janë një përçmim ndaj arbitrave, ndaj FIFA-s, ndaj organizatorëve të Botërorit dhe ndaj 100 viteve historie futbolli që ka Brazili. Ne kurrë nuk kemi bërë nga këto gjëra dhe për këtë arsye kërkojmë respekt nga të tjerët”, theksoi Paiva.

Brazili do të luajë të shtunën ndaj Kilit (18:00) për një vend në çerekfinalet e Botërorit.

Top Channel