Suarez-Chiellini, kafshime e goditje me bërryl?

24/06/2014 00:00

Sulmuesi i Uruguajit, ekipi i të cilit arriti të sigurojë kualifikimin në raundin e ardhshëm të Botërorit, atë të 16-sheve, pas fitores 1-0 të arritur ndaj Italisë së mbetur me 10 vetë, pati një përplasje me mbrojtësin Giorgio Chiellini, në një incident të ndodhur vetëm pak minuta para se amerikano-jugorët të shënonin golin e fitores.

Pamjet televizive treguan Suarezin të afronte kokën e tij mbi shpatullën e Chiellini-t, e më pas të dy lojtarët u rrëzuan në tokë. Menjëherë pas “kafshimit” të dyshuar, Chiellini përdori brrylet në ndihmë të tij.

Kur mbrojtësi juventin u ngrit, thuajse “e shqeu” bluzen për të treguar se ishte kafshuar në shpinë. Ndërkohë, nga ana tjetër, Suarez gjendej i shtrirë në tokë dhe pretendonte se ishte goditur nga italiani.

“Ishte gjëja më qesharake, fakti që Suarez nuk u ndëshkua me karton të kuq”, tha Chiellini pas ndeshjes për Rai TV. “Është e qartë, tërësisht e qartë, e më pas u bë një rrëzim i simuluar, sepse e dinte shumë mirë që kishte bërë diçka që nuk duhej ta kishte bërë”.

Diego Godin shënoi me kokë në minutën e 81, duke i dhënë fitoren Uruguajit, e duke e ngjitur këtë ekip në vendin e dytë të grupit D, pas Kosta Rikës. “Los Ticos”, që kishin fituar dy ndeshjet e para ndaj uruguajanëve dhe italianëve, barazuan pa gola me Anglinë në Belo Horizonte.

Pyetja që ngrihet padyshim nga të gjitha ambientet sportive në mbarë botën, është se “Çfarë roli do të luajë Suarez në pjesën e mbetur të Botërorit?”.

Top Channel