Rrëzohet edhe Anglia

19/06/2014 00:00

Anglia e Roy Hodgson është me një këmbë jashtë botërorit. Luis Suarez debutoi me dy gola në këtë botëror duke i dhënë fitoren 2-1 përfaqësueses së vendit të tij ndaj Anglisë, e cila regjistroi humbjen e dytë në dy ndeshje.

‘El Pistolero’, siç njihet ndryshe Suarez nuk i shpërfilli pritshmëritë e uruguaianëve dhe u bë protagonist i fitores së skuadrës së Tabarez, e cila pas këtij 3 pikëshi vazhdon ti mbajë të gjalla shpresat për kualifikimin në raundin tjetër.

Në këtë ndeshje Anglia ka rigjetur sulmuesin e saj Wayne Rooney, por goli i sulmuesit të Manchester United u bë i pavlefshëm në minutën e 85 kur golashënuesi më i mirë i Premier Leagues, Luis Suarez shënoi golin e fitores për kombëtaren e drejtuar nga Tabarez.

Vetëm matematika dhe Italia e mbajnë akoma Anglisë në këtë botëror. Për të qëndruar në garë anglezët jo vetëm që duhet të mposhtin Kosta Rikën, por duhet të shpresojnë që Italia e Prandellit t’i fitojë me rezultat të dyja ndeshjet e mbetura. Nëse të premten Italia humbet apo barazon me Kosta Rikën, atëherë kombëtarja angleze së bashku me trajnerin e saj Roy Hodgson do të shkojnë me pushime, më shpejt nga ç’e kishin parashikuar.

Top Channel