Botërori, Vettel: Patriotizëm pozitiv

29/05/2014 00:00

“Mendoj se është gjë e bukur të mund të mbash me krenari flamurin gjerman dhe ta përjetosh me një patriotizëm pozitiv Botërorin e futbolli” Kështu shprehet Sebastian Vettel, në lidhje me Kupën e Botës në futboll, që do të zhvillohet në Brazil.

“Gjermanët – vazhdon më tej piloti i Red Bull për agjencinë “DPA”, – për shkak të historisë së tyre, kanë problem të bëjnë tifo për flamurin e tyre, për vendin e tyre. Ndaj, është diçka e bukur që, duke shfrytëzuar këto raste e këto evente, të mund të shfaqim krenarinë tonë”.

Më pas, Vettel, i cili luan futboll “thjesht për kënaqësi dhe për ushtrime fizike”, flet edhe për kombëtaren e Joachim Low: “Forca e tij është kualiteti, ka një skuadër që duhet të impenjohet me çdo kusht, sepse të festosh në Brazil është diçka, që ia vlen ta provosh”.

Ndërkohë, menaxheri i përgjithshëm i Gjermanisë, Oliver Bierhoff, kthehet të flasë për incidentin e ndodhur në Val Passiria, me dy të plagosur për një dalje nga rruga, gjatë një performance të Mercedes-it që përfshinte Nico Rosberg dhe pilotin e “DTM”, Pascal Wehrlein.

“Nuk do të ketë asnjë pasojë në përgatitjet e Gjermanisë, pavarësisht incidentit të tmerrshëm”. Ish-sulmuesi ka vizituar të plagosurit, një turist gjerman 63-vjeçar, në gjendje më të rëndë, dhe një punonjës sigurie, së bashku me Wehrlein dhe Rosberg.

Gjermania do të stërvitet në San Leonardo në Passiria, deri në fund të javës, përpara Botërorit të muajit të ardhshëm në Brazil.

Top Channel