Simeone: Nuk duhet të qajmë

25/05/2014 00:00

Diego Pablo Simeone nënvizoi pas finales së Ligës së Kampioneve të humbur 4-1 ndaj Realit të Madridit se tifozët e Atleticos nuk duhet të derdhin lot, por të ndihen krenarë për skuadrën e tyre: “Nuk duhen derdhur lot për një ndeshje si kjo. Lojtarët dhanë gjithçka në fushë.”

Para se të thonte këto fjalë, menjëherë sapo hyri në sallën e konferencës së shtypit të stadiumit “Da Luz”, të gjithë gazetarët e pranishëm u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën gjatë trajnerin argjentinas.

“Në futboll thuhet se rëndësi ka vetëm fitorja, por kjo duartrokitje që më dhatë dhe mbështetja që më kanë dhënë tifozët gjatë sezonit të bën të kuptosh se ka edhe të tjera gjëra përveç fitores. Askush nuk duhet të derdhë lot për ne. Kur jep gjithçka në fushë, duhet të mbash kokën lart dhe të përgatitesh për sezonin e ardhshëm”, tha Simeone.

Kur u pyet se çfarë ndjente pas një humbjeje të tillë, “Cholo” u përgjigj: “Nuk jam i trishtuar, por i hidhëruar për faktin që nuk arritëm një objektiv që shumë njerëz e prisnin. Gjithsesi, jam i qetë pasi skuadra dha gjithçka. Jeta dhe futbolli kështu e ka. Skuadra meriton notën 9.5.”

Top Channel