F1, Alonso: Jemi për vendet 4-7

11/05/2014 00:00

Fernando Alonso është shfaqur i zhgënjyer pas rezultatit të provave zyrtare të Çmimit të Madh të Spanjës, edhe pse mundohet të ridimensionojë problemet e Ferrarit.

“Krahasuar me garën e mëparshme në Kinë kemi shtuar ngarkesën aerodinamike, por për momentin mbetemi kandidatë për vendet 4-7. Jemi aty ku ishim 15 ditë më parë edhe pse kemi bërë përmirësime. Por, as të tjerët nuk kanë ngelur në vendnumëro. Nga zhvillimet e reja, disa kanë funksionuar siç duhet, disa jo. Gjithsesi duhet të bëjmë disa modifikime dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën”, ka thënë spanjolli i “kokëkuqes”, në prag të garës së sotme.

Edhe pse është përpara shokut të tij të skuadrës, Kimi Raikkonen duket më i irrituar se sa spanjolli. “Nuk jam i kënaqur – është shprehur “njeriu i akullt”, – nuk do të doja të isha në këtë pozicion, por më përpara. Ka qenë një fundjavë e vështirë, por nuk jemi aty ku duhet të ishim. Kemi ende probleme, por duhet të përpiqemi t’i zgjidhim”.

Çmimi i Madh i Spanjës do të transmetohet drejtpërdrejt në Top Channel dhe Top Channel HD duke nisur nga ora 14:00 e së dielës.

Top Channel