Një pjesë e vogël e njësisë speciale të Policisë së Kosovës është kontigjent i krimit të organizuar në vend, ka deklaruar të mërkurën shefi i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-t, Florin Krasniqi.

Krasniqi, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë të ditur se komisioni ka pranuar 17 ankesa lidhur me proçedurën e verifikimit që ndiqet nga departamenti i posaçëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për personat e rekrutuar në radhët e policisë.

“Unë e kam thënë disa herë se një pjesë e vogël e njësisë speciale të Policisë së Kosovës është pothuajse krimi i organizuar në Kosovë. Janë ata policë që bëjnë bartjen e parave, bartjen e drogave, ata janë baza e krimit”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se qëllimi i shqyrtimit të ankesave të depozituara në komision është që personat e inkriminuar dhe që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve të mos avancojnë më tej në Policinë e Kosovës.

“Esenca e ligjit është që t’i largojë kriminelët nga policia dhe rendi publik. Në qoftë se nuk arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë kemi një problem shumë të madh”, ka thënë më tej Krasniqi.

Kryetari i komisionit të mbikëqyrjes së veprimtarisë së AKI-t ka shtuar më tej se agjencia gjatë verifikimeve ka zbuluar lidhje familjare e klanore në radhët e policisë, të cilat sipas tij duhet të shkëputen menjëherë.

Top Channel