“Nr 29 sjell çlirimin nga rrënimi”

12/06/2013 00:00

23 qershori nuk është garë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, as mes PS dhe PD, por, në besimin e kreut të opozitës, është data historike e kthesës së madhe të këtij vendi, siç e cilësoi ai në mitingun në qytetin e Burrelit, ku dallimi – tha ai – është i qartë.

“Ose me katranjosësin, pwr ta katranosur pastaj fare me katragjyshin, ose me numrin e bekuar 29, që do të çlirojë nga rrënimi i tranzicionit”, tha Rama.

Edi Rama tha se, e ka të qartë se si do të realizojë misionin e ndërmarrë.

“Duke rilindur fshatin do të ndërtojmë këtu vendin tonë, një vend që se meriton urinë në mes të Europës. Do ulim taksat për 95% të shqiptarëve dhe nga ulja e taksave do të përfitojë çdo shqiptar i punësuar, që merr nga 300 deri në 1,5 milionë lek të vjetra, si dhe një rrogë në fund të vitit”, u shpreh Rama.

Kryetari i opozitës argumentoi se do të hapë 300 mijë vende të reja pune, pasi bëri këtë sondazh të thjeshtë.

“A mund ta ngrejë dorën kush është i papunë? Ju jeni të papunë, sepse duhet hequr nga puna një kryeministër, që duhet dhe do të pushohet nga puna në 23 qershor”, tha Rama.

Por, pas 22 vitesh demokraci, ku – siç pohoi Edi Rama – është e turpshme që bëhen ende premtime elektorale qesharake, ai u vendos në pozitat e atyre që pyesin, a ia vlen apo jo të votosh?

“Sigurisht që ia vlen! Kush do një fat më të mirë, ka një adresë: numri 29 në fletën e votimit”, theksoi Rama.

Kreu i opozitës ftoi qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje, për të bërë më të fortë atë që quan, dita për ndryshimin e historisë së shqiptarëve përmes Rilindjes.

Top Channel