Berisha: Koalicioni i së djathtës

20/04/2013 00:00

Demokratët mblodhën kryesinë nga ku kreu i tyre, Sali Berisha, u deklarua i hapur për bashkëpunimin me çdo parti të së djathtës, të qendrës së djathtë, por edhe të qendrës.

Duke bërë këtë përcaktim të gjerë, nga ku nuk përjashtoi asnjë parti të këtij spektri, përfshi edhe FRD-në, Berisha tha se kriteri i vetëm i bashkëpunimit është ai që ai quajti “vokacioni perëndimor i kombit shqiptar”.
 
“Koalicioni duhet të konkretizohet me përfshirjen e të gjitha forcave politike që e ndjejnë veten të qendrës dhe të së djathtës së bashkuar”, theksoi Berisha.

Teksa tha se PD-ja do të shkojë në këto zgjedhje me koalicionin më të gjerë që ka pasur ndonjëherë, Berisha sulmoi edhe koalicionin prej mbi 40 partish të kampit opozitar. Ai tha se ne këtë koalicion të drejtuar nga PS-ja, janë rreth katër parti komuniste.

Nga kjo mbledhje Berisha argumentoi edhe vendimin që çoi KQZ-në në krizë, shkarkimin nga mazhoranca të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho. Por, ndryshe nga sa përmbante akti i shkarkimit që kishte të bënte me të kaluarën e zotit Muho, Berisha tha se nuk do të pranonte mungesën e balancës në KQZ: “Balanca e institucioneve të zgjedhjeve është balancë mes qeverisë dhe opozitës. Shikoni KQZ-në, në emër të pavarësisë apo varësisë ndaj zotit Rama u larguan ata zotërinjtë nga KQZ-ja? Më pas, donte të shtyheshin zgjedhjet. Ky njeri vuan nga sindroma obsesive e kleptomanisë.”

Kryeministri Berisha, në pjesën më të madhe të mbledhjes së Kryesisë, ironizoi përmes humorit aleancën PS-LSI, ku Metës i kujtoi fjalën e pambajtur, që sipas tij  Edi Rama i dha për të votuar tre ligjet, duke e cilësuar kreun e opozitës politikanin që shkel marrëveshje.

Top Channel