Indi, gjykata “ngrin” ambasadorin italian

14/03/2013 09:25

Gjykata e Lartë në Indi ka urdhëruar ambasadorin italian që të mos largohet nga vendi, pas refuzimit të Romës për të kthyer dy marinarët e akuzuar për vrasjen e dy peshkatarëve vitin e kaluar në Kerala.

Gjykata u kishte lejuar marinarëve që të ktheheshin në Itali për të votuar në zgjedhjet e muajit të kaluar. Ambasadori Daniele Mancini, nga ana e tij ka siguruar personalisht gjykatën se marinarët do të kthehen brenda datës 22 mars.

Ditën e mërkurë, kryeministri Manmohan Singh paralajmëroi se do të ketë pasoja nëse qeveria italiane nuk kthen dy marinarët në Indi. Me një ton të ashpër, Singh tha se refuzimi i Italisë për të bërë një gjë të tillë është i papranueshëm.

Vendimi i Romës është konsideruar si një turpërim për qeverinë indiane, e cila bashkë me opozitën ka kërkuar kthimin e marinarëve.

Mëngjesin e së enjtes, gjykata i dërgoi një mesazh ambasadorit italian, ku i komunikohej se i ndalohej largimi pa lejen e saj nga vendi. Ambasadorit i është kërkuar t’i përgjigjet njoftimit brenda datës 18 mars.

Prokurori i përgjithshëm i Indisë u tha gjyqtarëve se refuzimi i Romës për të kthyer dy marinarët përbën një shkelje të angazhimeve të marra dhe se institucionet indiane janë shumë të shqetësuara për këtë.

Në shkurt, Gjykata e Lartë indiane lejoi dy marinarët Massimiliano Latorre dhe Salvatore Girone që të shkonin në shtëpi për të votuar në zgjedhje, por iu urdhërua që të ktheheshin brenda katër javëve.

Por të hënën, Italia informoi Indinë se marinarët nuk do të kthehen, duke shkaktuar një incident diplomatik. Marinsat akuzohen se qëlluan dy peshkatarë në shkurt 2012, të cilët, siç thonë ata, i ngatërruan për piratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA