Për Partinë Socialiste privatizimi i 4 HEC-eve, të Ulzës, Shkopeti dhe
Bistricës 1 dhe 2 është padyshim, një nga skandalet më të mëdha të
qeverisë Berisha. E megjithatë Sali Berisha, tha deputeti Shalsi, me
kokëfortësi vazhdon procesin e shitjes së 4 HEC-ve, nga i cili
shqiptarët jo vetëm që nuk përfitojnë nga ky privatizim, por madje
humbasin me miliona euro prej tyre.
“Procesi nuk ka qenë transparent. Që nga momenti i parë i njoftimit për shitje, kriteret e privatizimit janë ndryshuar disa herë në mënyrë të pakuptueshme, ndërkohë që asnjëherë nuk u publikuan pasqyrat financiare të 4 HEC-eve, në mënyrë që gjithkush të kishte mundësinë t’i shikonte dhe të gjykonte.Pritshmëria e Qeverisë ka qenë për të përfituar rreth 235 milionë euro gjë që lehtësisht kuptohet nga shuma e garancisë së ofertës që qeveria kërkoi në fillim të procesit të privatizimit.Për të provuar këtë mjafton të bëhet një llogari fare e thjeshtë bazuar në një tjetër privatizim të një HEC-i, nga po kjo qeveri. Kështu, HEC-i i Lanabregasit u shit me një çmim prej 3 milionë euro për 1 më/h fuqi të instaluar. Katër HEC-et në fjalë, nga ana tjetër, qeveria po i shet me një çmim prej 1.4 milion euro për 1 më/h fuqi të instaluar. Është pikërisht kjo diferencë e pajustifikueshme në çmimin e shitjes së 4 HEC-eve që e shtyu Partinë Socialiste të bëjë edhe denoncimin në prokurorinë e rrethit Tiranë”, u shpreh Shalsi.
Të gjitha këto të dhëna tha Shalsi na japin të gjitha arsyet legjitime për mos t’i njohur këto privatizime.
“Këtu bëhet fjalë për një proces qartësisht të parregullt privatizimi, i cili për më tepër do të dëmtojë interesat financiare dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë do të thellojë edhe më tej krizën ku e ka futur Sali Berisha sistemin energjetik me një tjetër privatizim të dështuar siç ishte ai i CEZ, dhe do të rëndojë edhe më tej financat e drobitura të shtetit shqiptar, të cilit tanimë i duhet të marrë përsipër faturën e dështimit të CEZ dhe keqmenaxhimit të sistemit energjetik. Ne e kemi çuar këtë privatizim në Prokurori të bindur se ky proces shitje është kryekëput i parregullt dhe e përsërisim sërish zotimin tonë se pas 23 qershorit nuk do ta njohim këtë privatizim”, tha Shalsi.
Top Channel