Mijëra banorë të Sarajevës u mblodhën së bashku në heshtje, në rrugën kryesore të qytetit, për të shoqëruar korteshin me automjetet që bartnin 520 arkivole të myslimanëve të masakruar nga forcat serbe pas pushtimit të Srebrenicës në verën e vitit 1995.  

Këto janë viktimat e fundit të identifikuara nga testet e ADN-së këtë vit.

Ato do të varrosen ditën e mërkurën, ditën e përvjetorit  të 17 të masakrës në memorialin dhe varrezat të Potoçarit, në afërsi të 5,137 varreve ekzistuese.

Srebrenica përbën episodin më të rëndë të një krimi ndaj njerëzimit në Europë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Çështja është duke u gjykuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Në karrigen e të akuzuarve ndodhen Radovan Karadzic, së bashku me Ratko Mlladiç, që konsiderohen si krahu i djathtë i Miloseviç në spastrimet etnike dhe masakrat e tmerrshme të viteve 1990 në Bosnje, të cilat i kushtuan jetën më shumë se 200 mijë personave.

Top Channel