Siri, bombardohet sërish Hula

31/05/2012 00:00

Trupat siriane kanë bombarduar sërish qytetin e Hulas vetëm pak ditë pas masakrës së 108 civilëve, që shkaktoi indinjatën e komunitetit ndërkombëtar e që do të përbëjë boshtin e takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut të premten.

Sulmet nisën pak pasi vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kishin lënë qytetin. Trupat qeveritare lëshuan dhjetëra mortaja e raketa duke vrarë të paktën 2 persona, thanë aktivistë të opozitës. Një djalë i ri, sipas Observatorit sirian me seli në Londër, u ekzekutua me snajper.

Zemërimi dhe dhuna në Siri vazhdon prej kohësh, por që prej vrasjeve të Hulës, ato janë përshkallëzuar akoma më shumë. Një sërë vendesh dëbuan në shenjë proteste diplomatët sirianë, më e fundit prej tyre ishte Turqia.

Por ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë, aleate e regjimit të Bashar al Assadit, që bashkë me Kinën i kundërvihet veprimeve më të ashpra të Këshillit të Sigurimit, e shtynë Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton të deklaronte se politika ruse nuk bën gjë tjetër vecse kontribuon për një konflikt të mundshëm civil në Siri.

“Rusët po na thonë neve se nuk duan të shohin një luftë civile. Unë u kam thënë atyre se politika që po ndjekin po kontribuon në rënien e vendit në një luftë civile”, ka deklaruar Clinton para një audience në Kopenhagen.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon ka përsëritur paralajmërimin se Siria mund të jetë duke shkuar drejt një lufte civile “katastrofike” pas masakrës së regjistruar në Hula.

Ndërkohë, komandantët e rebelëve janë të ndarë nëse duhet të heqin dorë nga armëpushimi nëse ushtria siriane nuk tërhiqet në bazat e saj.

Koloneli i forcave kryengritëse, Qassim Saadedine deklaroi se, nëse nuk do të ketë një përgjigje të qeverisë brenda së premtes, njësitë e tij do të hiqnin dorë nga armëpushimi. Por vetëm pak më vonë komandanti i trupave rebele, gjenerali Riyad Asaad mohoi që të ketë pasur një ultimatum të tillë.

Ndërkohë, ai i bëri thirrje të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, që të lëshojë një deklaratë ku të shpallë të dështuar planin e tij.

Korrespondenti i BBC, Paul Ëood, që sapo është kthyer nga brenda Sirisë, thotë se në terren nuk ka pasur kurrë një armëpushim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA