Arrestohen autorët e vrasjes së pesë të rinjve maqedonas që ndodhi më 12 prill pranë liqenit të Hekuranës në periferi të Shkupit.
Në një aksion të gjërë të ndërmarrë në mëngjesin e së martës në disa lagje të Shkupit policia ka arrestuar 20 persona, në mesin e të cilëve gjenden edhe vrasësit. Kryeshefja e policisë maqedonase, Gordana Jankollvska tha se bëhet fjalë për një grup ‘radikalësh islamik’ që kanë luftuar edhe përkrah talibanëve në Afganistan.
“Ministria e Punëve të Brendeshme ka arrestuar autorët e vrasjes makabre tek liqeni i Hekuranës në fshatin Smilkovc. Bëhet fjalë për një grup personash nga Shkupi. Ata janë mbështetës radikalistë islamikë, të rrezikshëm edhe për të krishterët por edhe për myslimanët. Kundër tyre do të ngrihen padi penale për veprën penale të terrorizmit”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendëshme në Maqedoni.
Jankullovska njoftoi se personat e arrestuar kanë dosje terroriste. Ajo tha se
motivi i autorëve ka qenë që përmes kësaj vrasje të shkaktojnë frikë në mesin e qytetarëve. Sipas informacioneve të para, motivet për ndonjë hakmarrje të mundshme përjashtohet plotësisht.
“Gjatë operacionit policor të koduar ‘Monstrum’ është gjetur një numër i madh materialesh për të cilat vlerësojmë se më pas do të mund t’i shfrytëzojmë si dëshmi. Është gjetur një pjesë e madhe armësh, literaturë e cila flet për përfaqësimin ideologjik të këtyre personave dhe një sërë lëndësh të tjera të cilat mund të shfrytëzohen ose jane shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale”, shtoi ministrja Jankullovska.
Në aksionin policor morën pjesë mbi 800 përfaqësues të policisë.
Pas këtyre arrestimeve, Ministrja e Brendëshme, Gordana Jankullovska njoftoi se është duke ndjekur me vëmendje situatën e sigurisë në Maqedoni.
Top Channel