Instituti i Kosovës për Drejtësi, IKD, pohoi se anëtarët e Qeverisë në detyrë të Kosovës, që janë zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje pas betimit si deputetë dhe më pas nuk duhet të ushtrojnë funksione ekzekutive.

IKD i bëri thirrje partive politike që të miratojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, për t’i hapur rrugë betimit të deputetëve të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas këtij instituti, ligjet aktuale të Kosovës, Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë janë në mospërputhje, duke krijuar paqartësi sa i përket se kur i fillon mandati një deputeti të zgjedhur dhe kur duhet që anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje.

Nga Instituti nënvizojnë se në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se mandati i deputetit nis në ditën e seancës konstituive, ndërsa neni 70 thotë se ai nis në ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Ndërkaq, në Ligjin për Qeverinë thuhet se anëtarët e ekzekutivit, të zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, pra para 27 marsit.

Naim Jakaj nga IKD tha për Radion Europa e Lirë se letra e paraqitur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 15 prill në Kuvend, nuk përbën akt dorëheqjeje.

Kjo formë e dorëheqjes është kontestuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që ka shtyrë këto parti të mos e votojnë raportin për verifikimin e mandateve dhe të kërkojnë që anëtarët e ekzekutivit të dorëzojnë dorëheqje formale në Kuvend.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta