Austri, zbulohet pjesa e fshehur e Mozart

24/03/2012 00:00

Një kompozim i panjohur i Mozart, që dyshohet të jetë shkruar kur ai ishte vetëm 10 vjeç, është zbuluar në Austri.

Pjesa, që mendohet të jetë kompozuar në vitin 1767 ose 1768, është gjetur në një bllok shënimesh në një papafingo.

Kërkuesit arritën në përfundimin se në pjesën muzikore kishte një prani të theksuar të “Allegro Molto”, gjë që sipas tyre konfirmon se ajo është një kompozim i Mozart.

Ajo ishte hedhur në një bllok shënimesh që mbante emrin Del Signore Giovane Wolfgango Mozart.

Megjithëse muzika nuk është shkruar nga dora e legjendës apo nga i ati i tij Leopold, historianët e fondacionit Mozarteum në Salzburg janë të bindur se kompozimi i përket gjeniut të muzikës.

Eksperti i muzikës Hildegard Herrmann Schneider deklaroi se vetëm Leopold Mozart përdorte këtë emër kur shkruante emrin e të birit.

Blloku 160-faqësh i shënimeve, që daton në vitin 1780, përmban gjithashtu pjesë muzikore të shkruara nga babai i Mozart.

Muzikanti austriak Florian Birsak performoi pjesën 4-minutëshe në shtëpinë e fëmijerisë së kompozitorit të madh, në pianon orgjinale të tij.

Top Channel