Brukseli zyrtar ka deklaruar se nuk mban asnjë përgjegjësi përsa i
përket zbatimit të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat
rajonale.

Maja Koijançiç, zëdhënëse e shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, ka deklaruar se implementimi i marrëveshjes së arritur në fund të shkurtit varet nga vetë dy palët që e kanë nënshkruar atë dhe organizatorët e samiteve rajonale.

“Marrëveshja për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale është e qartë, ndërsa për mënyrën e zbatimit të saj vendosin organizatorët e këtyre nismave”, ka thënë Koçijançiç.

“Se si implementohet marrëveshja, për ne kjo është çështje e organizatorëve të takimit. Janë organizatorët ata që vendosin se ku do të vendoset fusnota”, ka nënvizuar ajo për mediat serbe.

Ekipet negociatore të Prishtinës dhe Beogradit arritën më 24 shkurt marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës me një fusnotë në nismat rajonale.

Por pavarësisht marrëveshjes, Kosova u la jashtë dy samiteve të zhvilluara së fundmi, njëri në Beograd dhe një tjetër në Shkup, me autoritetet serbe që pretendonin se vendi nuk po paraqitej sipas kritereve të marrëveshjes.

Ndërsa Serbia bojkotoi një samit në Mal të Zi, pikërisht për shkak të pranisë së Kosovës, të cilën ajo e cilësoi si të papranueshme.

Mësohet se qeveria serbe ka miratuar një udhëzim, sipas të cilit të gjithë anëtarët e delegacioneve serbe para samiteve duhet të deklarojnë se pjesëmarrja e Prishtinës është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe se Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA