Marrëveshja me Serbinë për përfaqësimin rajonal nuk po i shërben shumë Kosovës, pasi shteti i ri i Ballkanit është lënë jashtë samitit mbi sigurinë e kufijve të mbajtur në dy ditët e fundit në Shkup.
Në samitin në fjalë, të organizuar nga qeveria maqedonase nën kujdesin e presidencës daneze të Bashkimit Evropian, nga Prishtina nuk ishte ftuar asnjë përfaqësues.
Sipas agjencisë së lajmeve “INA”, në këtë konferencë kanë marrë pjesë ministrat e Brendshëm të Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, zëvendësministri shqiptar Avenir Peka, etj.
Zyrtarët në fjalë, sipas burimit, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e sigurimit të kufijve përmes qendrave të përbashkëta të kontaktit.
Kjo është hera e dytë që Kosova përjashtohet nga samitet rajonale që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, më 24 shkurt në Bruksel.
Ditën e djeshme Prishtina zyrtare akuzoi Beogradin se ka shkelur marrëveshjen duke mos e ftuar Kosovën në një samit mes vendeve të Ballkanit dhe Turqisë.
Marrëveshja e arritur më 24 shkurt parashikon prezantimin e Kosovës me një fusnotë që përmban rezolutën 1244 të OKB-së dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë.
Pavarësisht se u përshëndet masivisht nga faktori ndërkombëtar, ajo mesa duket nuk po jep efektet e pritura për shtetin e ri, ndërkohë që falë saj Serbia mori statusin e kandidatit për në BE.
Top Channel