Dita e tretë e raundit të nëntë të dialogut të Brukselit përfundoi shpejt, që në mesditë, me marrëveshje për të dyja temat e diskutuara mes palëve: bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e pikëkalimeve.

Marrëveshja do t’i mundësojë Kosovës të marrë pjesë dhe nënshkruajë vetë marrëveshje e të flasë vetë në të gjithë takimet rajonale. Vendi do të emërtohet vetëm Kosovë, me asteriks, dhe shpjegimi plotësues do të jetë:

“Ky emërtim nuk paragjykon qëndrimet ndaj statusit dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe me Mendimin e GJND-së mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratën e ndërmjetësit të BE-së.

Për pikëkalimet, palët miratuan protokollin teknik për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit. Ende pa u zbardhur detajet e marrëveshjes, parapriu komunikata e gatshme prej disaditësh, e shefes së diplomacisë europiane Ashton dhe komisionerit për Zgjerimin, Fyle, ku përshëndetet marrëveshja e arritur dhe premtohet shpërndarja e menjëhershme e “shpërblimeve” për të dyja palët.

“Sa i përket Serbisë, këto marrëveshje janë posaçërisht të mirëpritura para vendimit të Këshillit, javës që vjen, për statusin kandidat për vendin. Ndërsa për Kosovën, kjo e bën atë pjesmarrëse të plotë me të drejtat e saj në takimet rajonale dhe mundëson përparim të mëtejshëm drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Në përputhje me perspektivën europiane të vendit, Komisioni propozon nisjen e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ashton dhe Fyle vlerësuan se kjo marrëveshje përforcon bashkëpunimin rajonal dhe garanton përfaqësimin e duhur për të gjithë, si dhe përbën përkushtim të të dyja palëve drejt një të ardhmeje të përbashkët europiane.

Clinton: Marrëveshja, një hap i rëndësishëm

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Sot, Kosova dhe Serbia kanë ndërmarrë një hap tjetër të rëndësishëm në drejtim të së ardhmes së tyre evropiane, duke arritur marrëveshje në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe për menaxhimin e integruar të kufirit”, ka deklaruar Clinton.

Shefja e diplomacisë amerikane ka falenderuar Brukselin për lehtësimin e këtij proçesi kaq të rëndësishëm, duke ndihmuar dy vendet që të realizojnë objektivat për të ardhmen e tyre.

“Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën. Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë e Kosovës, integritetin dhe sovranitetin e saj territorial dhe e afrojnë atë më tepër drejt integrimit të plotë evropian, që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin. Kosova tani do të ulet në tryezat e forumeve rajonale si një partner i barabartë, që përfaqëson veten dhe flet për veten e saj”, ka nënvizuar Clinton.

Nga ana tjetër, sekretarja e Shtetit ka shprehur shpresën e saj se këto marrëveshje do t’i hapin derën kandidaturës së Serbisë për në Bashkimin Evropian.

Ajo ka vlerësuar se përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është diçka e mirë për këtë vend, për Kosovën dhe për të ardhmen e të gjithë rajonit.

“Ne shpresojmë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian të vazhdojë për çështje të tjera që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve”, ka shtuar Clinton.

Thaçi: Marrëveshja e integrimit

Pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shfaq në një konferencë për shtyp në Prishtinë.

Ai e quajti të rëndësishme marrëveshjen duke u shprehur se, nëse Rambujeja i solli Kosovës lirinë dhe Ahtisari pavarësinë, kësaj here në Bruksel Kosova fitoi integritetin europian.

“Kjo nuk ishte zgjidhja ideale, por e vetmja për momentin ku po kalon kosova”, tha kryeminis kosovar. Sipas Thaçit, kjo marrëveshje nuk e zbeh shtetësinë.

Vetëvendosje, demonstratë kundër marrëveshjes

Ndërkohë ka reaguar menjëherë edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila paralajmëroi se do të mbajë demonstratë më 27 shkurt duke filluar në ora 12, para selisë së qeverisë, për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur në Bruksel për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë për media, ku sipas tij, për 4 orë rresht do të pezullohet puna e qeverisë së Kosovës.

Ai e ka cilësuar marrëveshjen në Bruksel si një marrëveshje personale të kryeministrit Hashim Thaçi, dhe për këtë arsye ai ka ftuar institucionet që të mos e respektojnë atë.

Ndërsa, duke folur për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se deri më tani kanë mbledhur 15 nënshkrime, 12 prej të cilave janë të deputetëve të Vetëvendosjes.

Sipas tij, nëse deri të shtunën nuk i mbledhin 40 nënshkrimet e domosdoshme për thirrjen e seancës, atëherë do të fillojnë me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve për këtë gjë.

LDK: Përfaqësim me emrin kushtetues

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel duke deklaruar se Kosova në nismat rajonale duhet të paraqitet si shtet i pavarur, sovran dhe me emrin e saj kushtetutes.

“LDK vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, demokracinë dhe pavarësinë e vendit brenda dhe në raportet ndërkombëtare”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

Partia e drejtuar nga Isa Mustafa ka ritheksuar gjithashtu përkushtimin e saj për perspektivën evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, duke rikonfirmuar miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara. 

Berisha: Marrëveshja, akt i rëndësisë së veçantë

Si një “akt të një rëndësie të veçantë, që bën të mundur përfaqësimin e Kosovës në proçesin e integrimit rajonal dhe Europian si shtet dhe vend i pavarur”, e ka vlerësuar kryeministri shqiptar Sali Berisha marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përmes një deklarate publikuar në faqen online të Këshillit të Ministrave, zoti Berisha shprehet se: “Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Serbi, por edhe për bashkëpunimin, paqen dhe stabilitetin rajonal”.

“Vërtet marrëveshja parashikon përdorimin e një fusnote si një kompromis ndërmjet palëve, por pranimi i saj nga pala serbe është pranimi de facto dhe de jure i Kosovës si shtet dhe vend i pavarur”, thotë kryeministri.

Sipas zotit Berisha, Rezoluta 1244 e OKB-së është thjesht një relike në arkivën e një kohe që nuk kthehet kurrë më, një letër e vdekur që nuk i besojnë as ata që e citojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA