Japoni, përkujtohet tërmeti shkatërrimtar

11/03/2012 08:20

Qirinj dhe letra përkujtimore janë vendosur në të gjithë Japoninë ditën e dielë, ndërsa përkujtohet një-vjetori i tërmetit dhe tsunamit shkatërrimtar, që i kushtoi jetën me mijëra personave.

Një prej lëkundjeve më të fuqishme të njohura, me magnitudë 9.0 sipas shkallës rihter, tërmeti u pasua nga dallgë deri 15 metra të larta, të cilat shkatërruan shumë shtëpi dhe dëmtuan rëndë qendrën bërthamore të Fukushimës, duke krijuar një emergjencë bërthamore.

U deshën disa javë për të vendosur nën kontroll rrezatimet, ndërsa zona 20 kilometra përreth Fukushimës vazhdon edhe sot të jetë e ndaluar për civilët.

Ndërsa një minutë heshjte u mbajt në momentin ekzakt kur ndodhën lëkundjet, ceremoni të shumta përkujtimore u mbajtën në të gjithë vendin. Ceremonia kryesore ishte ajo e Teatrit Kombëtar të Tokios, ku i pranishëm ishte edhe Perandori Akihito, pavarësisht gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore.

78-vjeçari kreu një operacion në zemër vetëm dy javë më parë. Ai u shoqërua në ceremony nga Perandoresha Miçiko dhe kryeministi Yoshihiko Noda.

Megjithatë, 11 marsi është shndërruar edhe në një teatër të manifestimeve masive nga ana e grupeve anti-bërthamore, të cilat edhe një herë kanë dashur të ndërgjegjësojnë për rrezikshmërinë që vjen nga përdorimi i kësaj forme të energjisë.

Tërmeti shkatërrimtar u regjistrua në 11 mars 2011, në orën lokale 14:46, me epiqendrën disa dhjetëra kilometra në verilindje të Tokios. Në total, katastrofa natyrore i mori jetën 15 800 personave, midis të cilëve mbi tre mijë trupa nuk u gjetën kurrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA