Përfaqësuesi i ri i posaçëm i BE-së në Kosovë, Sameul Zhbogar ka deklaruar se Kosova ndonëse është një shtet ende i ri është në gjendje të vendosë vetë.
Në një intervistë për “RTK”, diplomati slloven ka pohuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës duhet të gjejnë një zgjidhje për të integruar veriun e vendit.
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj besoj se përkundër faktit se situata në veri nuk është e mirë, institucionet vendore do ta gjejnë zgjidhjen për ta ndryshuar atë. Veriu nuk duhet të shndërrohet në një konflikt të ngrirë”, ka nënvizuar Zhbogar.
Duke folur për zvarritjen e bisedimeve Kosovë-Serbi, diplomati ka vlerësuar se çështja e përfaqësimit të Kosovës, që ka bllokuar proçesin, mund të zgjidhet fare lehtë.
“Në takime të ndryshme, përfshirë këtu edhe takimet e Këshillit të Sigurimit, vendet përfaqësohen vetëm me emrat e tyre, pa saktësuar nëse bëhet fjalë për monarki apo republikë”, ka thënë Zhbogar.
Sipas tij, është jetike që Kosova të ketë vendin e saj në forumet e ndryshme ndërkombëtare, ashtu sikurse e kanë të gjitha vendet e tjera.
Zhbogar ka vlerësuar se një marrëveshje për këtë çështje do të ndihmonte Kosovën në vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe në qëndrimin e 5 vendeve që nuk kanë njohur pavarësinë e saj.
I pyetur mbi idenë për një takim të mundshëm mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Boris Tadiç, ai është shprehur në favor, ndërkohë që më tej është shprehur optimist për raport-progresin e ardhshëm.
Zhbogar mbërriti në Prishtinë ditën e hënë për të filluar zyrtarisht detyrën si përfaqësues i posaçëm i BE-së dhe deklaroi se prioritetet e tij do të jenë 3: kthimi i normalitetit në veri, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe heqja e vizave.
Një ditë më vonë ai nisi aktivitetin e tij diplomatik dhe u takua me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe më pas u prit nga kryeministri Hashim Thaçi.
Top Channel