Përfaqësuesi i posaçëm dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka prezantuar mbrëmjen e së hënës në Prishtinë prioritetet e misionit të tij.

Në një konferencë për shtyp me shefin e misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac, Zhbogar ka theksuar se prioritetet kryesore janë tre: kthimi i normalitetit në veri, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe heqja e vizave.

Gjatë konferencës, Zhbogar ka nënvizuar gjithashtu se do të mbështesë vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe do të ndihmojë institucionet në procesin për liberalizimin e vizave.

Të njëjtat prioritete ka prezantuar edhe shefi i misionit evropian për rendin dhe ligjin, Xavier de Marnhac, i cili ka theksuar se do të punojë ngushtë me të dërguarin e ri të BE-së.

“Ndihmesa e EULEX-it për institucionet në procesin e liberalizimit të vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe vendosja e rendit dhe ligjit në veri janë tri prioritetet e EULEX-it”, ka nënvizuar De Marnhac.

Diplomati slloven Samuel Zhbogar zëvendëson në këtë detyrë ish-ambasadorin italian Fernando Gentilini dhe mandati i tij zgjat deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm.

Në kuadër të marrjes së detyrës, pritet që nesër ai të fillojë takimet e para me autoritetet kosovare, me të cilat do të diskutojë për çështjet aktuale.

Përsa i përket çështjes së veriut, në fillim të vitit ai u takua me me nënkryetarin e Parlamentit Evropian për Evropën juglindore, Jelko Kaçin, i cili i dha disa këshilla mbi strukturat ilegale të financuara nga Beogradi.

Top Channel