Komisioni Europian apo ekzekutivi i BE-së nisi procedurat ligjore kundër Hungarisë për reformën e ndërmarrë për Bankën Qëndore, Mbrojtjen e të Dhënave dhe Sistemin Gjyqësor.
E ashtuquajtura “procedura e shkeljes” mund të konsiderohet një paralajmërim për Budapestin. Presidenti i Komisionit Europian, Zhose Manuel Barroso e bëri publik vendimin, pas takimit me 27 komisionerët e BE-së në Strasburg.
“Kolegji vendosi të nisë “procedurat e shkeljes” kundër Hungarisë në tre cështje: për pavaresinë e Bankës Kombëtare, moshën e pensionit të gjykatësve dhe autoritetin e mbrojtjes së të dhënave. Në të njëjtën kohë po dërgojmë një kërkesë më të gjërë për informacion, sa i takon pavarësisë së sistemit gjyqësor”, tha Jose Manuel Baroso, President i KE.
Komisioni Europian u ka kërkuar autoriteteve hungareze të bëjnë ndryshime për të respektuar ligjin Europian, por deri tani, kjo nuk ka ndodhur.
“Vendimet që ne kemi marrë sot janë një reflektim i vendosmërisë tonë për të siguruar se ligjet europiane, si në udhezime dhe frymë, të respektohen plotësisht dhe të ekzistojë një mjedis i qendrueshëm ligjor në të gjithë vendet anëtare. Hungaria është një prej anëtarëve kyc të familjes europiane. Ne nuk duam hije dyshimi në respektin e parimeve demokratike”, tha Barroso.
Një zyrtar i Bashkimit Europian tha se Hungaria do të ketë një muaj kohë për të ndryshuar ligjet, ose përndryshe do të nisin procedurat kundër saj në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, Gjykata e Lartë e BE-së.
Pak para shpalljes së vendimit, ambasadori i Hungarisë në Bashkimin Europian, Peter Giorkos shpjegoi se Hungaria po shqyrton mundësinë për ta cuar cështjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, ku mund të shqyrtohet përputhshmëria e disa prej ligjeve të reja me ato të BE-së.
Kritikët thonë se ligji i ri për Bankën Qëndrore vë në rrezik pavarësinë e saj. I lejon Orbanit, të vendosë një zv/guvernator të ri, duke mos harruar se partia e tij konservatore FIDESZ ka dy të tretat në parlament.
Edhe Autoriteti për Mbrojtjen e të Dhënave do të vihet tërësisht nën influencën e partisë së tij. Plani për të nxjerrë në pension, para afatit 274 gjykatës do të minojë pavarësine e gjyqësorit, duke i zëvendësuar me të tjerë, të emëruar nga FIDESZ.
Krijimi i një autoriteteti të ri për Median, është vënë gjithashtu qëndër të kritikave.
Ndryshime ligjore janë përfshirë në Kushtetutën e re të Hungarisë, e cila hyri në fuqi më 1 Janar. Mijëra hungarezë protestuan kundër të ashtuquajturit “autoritarizëm të FIDESZ”
Barroso do të takohet me kryeministrin hungarez me 24 Janar në Bruksel, për të diskutuar mbi shqetësimet e Bashkimit Europian. Viktor Orban do t’i drejtohet Parlamentit Europian në Strasburg, të mërkurën.
Top Channel