Nga Serbia është kërkuar të pranojë pavarësinë e Kosovës në momentin e fundit. Presidentin serb, Boris Tadic dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, kanë thënë një gjë të tillë dhe andaj, sipas tyre, është refuzuar statusi i kandidatit.
Por, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, ka thënë se askush nuk ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, Parlamenti Evropian nuk ka asnjë informacion të tillë dhe asnjë vend nuk mund të kërkojë diçka të tillë në mënyrë të njëanshme.
Kacin ka thënë se kjo ka të bëjë me problemet e brendshme të Serbisë dhe deklaratat për fushatën e zgjedhjeve. Megjithatë, në të ardhmen askush nuk beson te optimizmi i tepruar se mund të ndodhin shumë ndryshime deri në mars.
Analistët dhe partitë politike kanë kërkuar të ketë një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, ose mbi të gjitha ndryshimin e sistemit të bisedimeve pasi deri më tani ky nuk është rrëfim i suksesshëm. Serbia ka rastin e vetëm të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën dhe të krijoj të tjera.
Më 9 dhjetor Bashkimi Europian vendosi të shtyjë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë, pavarësisht realizimit të disa kushteve kryesore nga ana e Beogradit.
Një ditë më parë, shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle i bënë thirrje Serbisë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura me të në mënyrë që të marrë statusin e kandidatit në mars.
Jovanovic: Jo alibive për dështimin e integrimit
Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë, Cedomir Jovanovic ka deklaruar se qytetarëve serbë nuk duhet t’u paraqiten alibi për dështimin në marrjen e statusit të kandidatit për në BE.
“Qytetarëve nuk duhet t’u ofrohen alibi për dështimin e politikave të integrimit evropian. Nuk duhen fabrikuar teza për kushte të reja të vendosura nga Evropa, që gjoja politikanët serbë i kanë refuzuar si patriotë”, ka deklaruar Jovanovic.
“Kjo është mënyra e arsyetimit të Millosevicit. Trembja dhe fshehja prapa iluzioneve dhe falsifikimit të realitetit ende po u paraqitet qytetarëve në Serbi”, ka theksuar ai.
Politikani i moderuar serb ka shtuar se, kërkesat për kandidaturën e Serbisë janë paraqitur prej kohësh, sidomos kur Beogradi u vizitua në gusht nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Top Channel