Maverick është gati të fluturojë sërish. Pas 25 vjetësh, Tom Cruise kërkon të ndjejë sërish dridhmat e shpejtësisë së lartë dhe ka deklaruar se në kantier ndodhet një projekt për të xhiruar vazhdimin e “Top Gun”.
Në projektin e ri pritet të marrin pjesë edhe regjisori Tony Scot dhe producenti Jerry Bruckheimer, që kanë punuar në filmin e parë të viteve ’80 dhe që u kthye në një film kult.
“Nuk kisha menduar kurrë se do të punoja sërish me Tony dhe Jerry së bashku”, ka deklaruar Cruise për mediat amerikane.
Vitin e kaluar Paramount kishte hedhur në ajër zërat për një vazhdim të “Top Gun” dhe regjisori Scot kishte dhënë miratimin e tij, ndërsa vetë aktori nuk kishte bërë asnjë koment dhe lajmi humbi jehonën e tij.
“Uroj që të gjejmë një histori mbi të cilën të bien të gjithë dakord dhe që të mund të dhurojë të njëjtat emocione të filmit të parë”, ka deklaruar Cruise, duke sponsorizuar hapur projektin.
Në filmin e vitit 1986 divi i Hollivudit interpretonte pilotin e ri Tom Mitchell, që përdor pseudonimin Maverick, që dërgohet në shkollën më të mirë të pilotëve të Shteteve të Bashkuara dhe bie në dashuri me një instruktore.
Sipas mediave amerikane, filmi ka arkëtuar 344 milionë dollarë në të gjithë botën dhe për të festuar 25-vjetorin, Paramount ka krijuar një version të ri Blu-Ray.
Së fundmi, Tom Cruise është i angazhuar në promovimin e filmit të katërt të sagës “Mission: Impossible”, me premierat e shfaqura fillimisht në Indi dhe Dubai, ku dhe është xhiruar filmi.
Top Channel