Në kohën kur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po qëndron në Bruksel, në Prishtinë zhvillohen debate ndërmjet pozitës dhe opozitës parlamentare për çështjen e udhërrëfyesit të vizave, të cilin qeveria shpreson ta marrë nga Brukseli.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës deklarojnë se do të dëshironin ta kishin optimizmin e kryeministrit Thaçi.

“Do të dëshironim edhe ne ta kemi këtë optimizëm që ka zoti Thaçi. Ne jemi mësuar të shohim optimizëm në qeveri kur nuk ka aspak vend për optimizëm të tillë. Sidoqoftë, nuk ka qytetarë në Kosovë dhe subjekt politik që nuk do t’i gëzohej asaj që e kemi dëshirë”, deklaron Ismet Beqiri, kryetar i grupit kuvendor të LDK.

Kurse në radhët e Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shprehen më optimistë për marrjen e udhërrëfyesit dhe për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa kritkojnë ashpër qeverinë.

“Optimistë jemi edhe ne, se liberalizimi i vizave do të ndodhë edhe për Kosovën, jo vetëm për faktin e kontributeve të qeverisë në këtë drejtim, por gjithësesi edhe për shkak që Kosova nuk mund të vazhdojë të jetë një vend i izoluar. Liberalizimi i vizave do të ndodhë patjetër për Kosovën, sepse qytetarët e meritojnë këtë, e jo pse qeveria u ka mundësuar një gjë të tillë”, thotë Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes.

“Me këtë dinamikë që ka filluar kjo qeveri që nga viti 2008-2009, do të ketë vonesa edhe më të mëdha në finalen e liberalizimit të vizave. Por, ne jemi të bindur se me ndërrimin e qeverisë në Kosovë do të ketë liberalizim të vizave shumë më shpejt”, shprehet Burim Ramadani, deputet i AAK-së.

Por në Partinë Demokratike të Kosovës, kryetar i së cilës është kryeministri HashimThaçi, shprehen se një ditë opozita do të akuzojë për gjithçka, kurse deklarojnë se procesi i liberalizimit të vizave është meritë e të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake.

“Nga opozita ndoshta një ditë do të dëgjojmë që qeveria dhe PDK-ja po e përvetësojnë edhe ajrin e Kosovës. Por është me rëndësi se qeveria ka qenë dhe do të mbetet në mbrojtje të interesave të qytetarëve të vet”, deklaron Adem Grabovci, kryetar i grupit kuvendor të PDK-së.

Sidoqoftë, përflitet se Prishtina zyrtare do të ketë kushte të shumta gjatë dialogut për liberalizimin e vizave që pritet të fillojë gjatë dhjetorit të këtij viti, dhe se për këtë një delegacion i kryesuar nga kryeministri ka shkuar në Bruksel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA