Vendimi i gjykatës së Hagës duhet të shihet si një mundësi për nxitjen e
iniciativave të reja për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Kështu reagoi ndërmjetësi i OKB-së për kontestin greko-maqedonas, Metju Nimic, pas vendimit të GJND-së që penalizonte Greqinë, se ka shkelur Marrëveshjen e Përkohshme me Maqedoninë.

Nimic, sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “INA”, kërkoi nga Athina dhe Shkupi që të shqyrtojnë me kujdes këtë vendim.

“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me Marrëveshjen e përkohshme të vitit 1995 duhet të shqyrtohet me kujdes nga ana e qeverive të të dyja vendeve”, deklaroi Nimic.

“Gjatë ditëve të fundit kam qenë në komunikim me to dhe kam kërkuar që ta shohin këtë vendim si një mundësi për të menduar në mënyrë konstruktive për marrëdhëniet e ndërsjella, si dhe për përtëritjen e nismës për arritjen e një zgjidhjeje definitive për kontestin e emrit”, vijoi më tej ai.

Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara shtoi se është i gatshëm të punojë me të dyja palët, me qëllim arritjen sa më shpejt të një zgjidhjeje afatgjatë të cështjes së emrit.

Ivanov: Greqia të zbatojë vendimin e GJND-së

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov reagoi pas vendimit të GJND-së ndaj padisë së bërë nga vendi i tij ndaj Greqisë, duke deklaruar se ai i jep prestigj politikës shtetërore të Maqedonisë.

“Për këtë arsye, Republika e Maqedonisë kërkon nga ajo e Greqisë të njëjtën gjë që kërkon GJND-ja, respektimin dhe zbatimin me efikasitet të Marrëveshjes Kohore, si dokumenti i vetëm që rregullon marrëdhëniet mes dy shteteve”, deklaroi Ivanov.

Ai vijoi duke thënë se, “në vend që ta pengojë, Republika e Greqisë duhet ta mbështesë integrimin tonë në organizatat ndërkombëtare, pikërisht në bazë të kësaj marrëveshjeje”.

Duke folur pas një takimi me kryeministrin Nikolla Gruevski dhe kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, presidenti shprehu kënaqësinë e tij për vendimin e Hagës.

“Ne edhe më tej do të vijojmë ta zbatojmë Marrëveshjen Kohore, në mënyrë konstruktive sic kemi bërë deri tani, si dhe do vijojmë të marrim pjesë në negociatat dypalëshe nën patronazhin e OKB-së për të gjetur një zgjidhje të pranueshme”, shtoi Ivanov.

Ahmeti: Vendimi, shtysë për zgjidhjen e kontestit

Ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi përshëndeti vendimin e GJND-së, vlerësoi se nga ky përfundim nuk ka as të humbur, e as të fituar.

Sipas tij, vendimi duhet të shërbejë si shtysë për një zgjidhje të menjëhershme të kontestit të emrit mes dy palëve.

“Vendimi i gjykatës është dicka që duhet të shfrytëzohet për t’i dhënë fund kontestit me fqinjin jugor të Maqedonisë. Përvec zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja, shqiptarët e duan anëtarësimin në NATO edhe për arsyen se Aleanca do të mundësojë kupolën e sigurisë kolektive për shqiptarët, të cilët kanë qenë viktima të tragjedive të mëdha”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së shtoi se shqiptarët e Maqedonisë kanë qëndrim unik përsa i takon cështjes së emrit dhe do të mbështesin cdo kompromis të mundshëm me Greqinë.

NATO: Vendimi i Hagës nuk cënon vendimin e 2008-s

Por entuziazmi i Maqedonisë u frenua nga reagimi i NATO-s, që nuk vonoi të shprehte opinionin e tij mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen tha se vendimi i kësaj gjykate nuk cënon vendimin e marrë nga aleatët në Samitin e Bukureshtit të 2008-s, duke lënë në fuqi kushtëzimin e antarësimit të Maqedonisë në NATO me arritjen e marrëveshjes për emrin me Greqinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA