Merkel, e shokuar nga vrasjet e naziskinëve

15/11/2011 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka cilësuar vrasjen e nëntë
emigrantëve dhe një policeje nga një celulë naziskine si një ngjarje “të
turpshme”.

“Është e turpshme që dicka e tillë ka ndodhur në vendin tonë”, është shprehur kancelarja Merkel.

Autoritetet dyshojnë se anëtarë të të njëjtit grup kanë kryer gjithashtu grabitje në disa banka dhe një atentat me bombë në Këln, gjatë një periudhe 10-vjecare.


Grupi u zbulua
vetëm këtë javë kur një anëtar i tij u vetëdorëzua në polici, ndërsa dy të tjerë u vetëvranë. Cështja ka shtangur Gjermaninë, që është ende e ndjeshme ndaj së kaluarës naziste.

Korrespondenti i BBC në Berlin thotë se cështja ndodhet në faqet e para të gazetave në mbarë vendin, duke nxjerrë në plan të dytë krizën e eurozonës.

Vrasjet, thotë gazetari, janë po aq tronditëse sa edhe cështje të tjera politike me interes të gjerë që kërkojnë përgjigje.

Lajme të ndryshme të publikuara në mediat gjermane sugjerojnë se një ose më shumë anëtarë të grupit ishin në kontakt me shërbimet sekrete të vendit.

Megjithatë, ministri i Brendshëm, Hans Peter Friedrich tha për të përditshmen “Bild” se nuk ka prova që të tregojnë se të paktën një nga tre naziskinët ishte informator.

Policia gjermane dyshon se tetë persona me etni turke, një me etni greke dhe një police janë vrarë nga anëtarët e grupit, të njohur si “Nëntoka Kombëtare Socialiste”.

Top Channel