Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, propozoi në kuvend një
marrëveshje të gjerë politike për të ulur borxhin publik dhe vënë nën
kontroll financat e vendit.
“Eshtë momenti do ta marrim këtë përgjegjësi apo jo? Ose mbahet nën kontroll situata në këtë vit, ose do të ndiheni edhe ju në pamundësi reale, për shkak të presionit elektoral, që financat vijnë e përkeqësohen”, tha Malaj.
Zoti Malaj mendon se buxheti i viti të ardhshëm nuk është realist dhe mund ta rrisë borxhin në kushtet, kur Shqipëria po rrethohet nga kriza e përkeqësuar e Eurozonës. Ndaj ai mbron idenë e një ndërhyrje të dyanshme, që nuk prek vetëm shpenzimet, por edhe taksat.
“Ne jemi vendi me borxhin më të lartë në rajon, nga 47 mesatarja, ne e kemi 60. Nga projeksionet, nëse nuk ndërhyhet me politika të reja edhe në krahun e të ardhurave, jo vetëm në krahun e shpenzimeve, ky shkon 64 perqind”, tha Malaj.
“Do të rrisni taksat, bëjeni! Ne mendojmë se nuk është ai modeli për të ekuilibruar apo për të arritur në një situatë më të mirë makro-ekonomike për vendin. Nuk është rritja e taksave, harrojeni!”, tha ministri aktual i Financave, Rivdan Bode.
Zoti Bode mendon se problemi i ekonomisë shqiptare tani nuk është borxhi, por një tjetër.
“Ju duhet ta kuptoni që nuk është kjo sfida jonë sot, por është suksesi i madh që ne arritëm që ne arritëm ta sjellim në qendër të debatit dhe të monitorohemi edhe për deficitin total dhe për borxhin total. Ne kemi vendosur objektiv, kemi thënë jo më shumë se 60 përqind, nëse bëjmë fjalë, kush është sfida e ekonomisë shqiptare, rritja ekonomike dhe tani mbajtja e një rritjeje ekonomike pozitive në trend rritës”, tha Bode.
Por nënkryetarja socialiste në Komisionin e Ekonomisë, Mimi Kodheli, thotë se është pikërisht qeveria ajo që po e godet rritjen ekonomike.
“Në ulje në raport relativ janë investimet, janë shpenzimet për probleme sociale të popullsisë dhe padyshim janë në rritje të interesave të borxhit”, tha Kodheli.
Ndërsa Bode u shpreh: Nuk mund të pretendohet se financat publike vazhdimisht do të jenë motorri i zhvillimit . E bëmë këtë në dy vite, tani gradualisht duhet t’i hapim protagonizmin ekonomisë”.
Buxheti i vitit të ardhshëm parashikon një rritje ekonomike 4.3 për qind, që për opozitën është e pamundur.
Top Channel