Cassano operohet në zemër

04/11/2011 10:15

Futbollisti i Milanit, Antonio Cassano, iu nënshtrua me sukses një operacioni në zemër mëngjesin e së premtes, disa ditë pasi ai u diagnostikua me një ishemi në tru.

Pas analizave të detajuara, u zbulua se ishte një çrregullim i vogël në zemër ai që kishte krijuar problemin. 31-vjeçari u operua në një klinikë në Milano, në një ndërhyrje që zgjati vetëm 35 minuta. Në buletinin mjekësor, informohet se operacioni ka qenë i suksesshëm dhe se futbollisti mund t’i rikthehet përsëri futbollit, pas një terapie të gjatë riaftësuese.

Në një komunikatë të publikuar ndërkohë në faqen e klubit, përmblidhen urimet e shokëve të skuadrës dhe trajnerit Allegri.

Besohet se Cassano do të qëndrojë jashtë fushave të futbollit për një periudhë midis 4-6 muaj. Ndërkohë, Milani ka nisur të mendojë për blerjen që është i detyruar të kryejë në janar, pasi pa Inzaghin dhe të riun El Sharawi, reparti ofensiv ka vetëm tre futbollistë që japin garanci (Ibrahimovic, Pato dhe Robinho).

Top Channel