Milan në kërkim të zëvendësuesit të Kasanos

03/11/2011 16:55

Gjendja shëndetësire e Antonio Kasanos ka bërë që Milani të vihet në kërkim të zëvendësuesit të tij. Emri që ka filluar të përmendet së fundmi është ai i Fabio Kualjarelës të cilin kuqezinjtë do të kërkojnë ta blejnë në merkaton e muajit janar.

Sulmuesi italian i Juventusit nuk po gjen më hapësira në skuadër dhe ka marrë rolin e lojtarit të përhershëm rezervë dhe për këtë arsye po mendon seriozisht për t’u larguar nga Zonja e Vjetër. Milani, edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ka shprehur interes për të blerë ish-futbollistin e Napolit.

Por në këtë pikë ka një problem. Juventus do të kërkojë që të përfitojë sa më shumë të ardhura nga shitja e tij duke parë se gjatë muajve të verës i pagoi Napolit mbi 10 milionë euro për blerjen përfundimtare të kartonit të Kualjarelës. Por Milani mendon edhe për emra të tjerë për në merkaton e transferimeve, edhe këta pjesë e skuadrës torineze dhe bëhet fjalë për Amaurin dhe Luka Tonin.

Emri i Amaurit i është bashkangjitur Milanit që në verën e kaluar dhe konsiderohej si zëvendësuesi ideal i Ibrahimoviç. Por italo-braziliani duket se nuk është shumë i interesuar pasi në drejtim të tij kanë ardhur oferta edhe nga klube angleze ku spikasin ato të Kuin Park Rejnxhërs dhe Fulhem.

Më të lehta duken tratativat për Luka Tonin, të cilin drejtuesit e Juventusit mund ta japin në fiormë huazimi ose me ndonjë vlerë të ulët të përballueshme nga drejtuesit e Milanit.

Top Channel