Zgjedhjet, PS “mbërrin” në Venecia

09/07/2011 15:00

Pyetja nëse Partia Socialiste do t’i drejtohet për një mendim këshillues
Komisionit të Venecias apo kur do t’i dërgohet një kërkesë e tillë,
tashmë ka një përgjigje.

Top Channel ka mundur të mësojë se Partia Socialiste ka dërguar në Komisionin e Venecias 4 pyetje, që lidhen me atë ndodhi në garën për Bashkinë e Tiranës.Këto pyetje janë dërguar vetëm pak ditë pasi KQZ, në mënyrë selektive hapi 117 kuti, pas pretendimeve se kishte sinjalizime për vota të hedhura gabim.Kërkesa e socialistëve mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar Gramoz Ruci.

Në pamundësi të dërgimit direkt të këtyre pyetjeve nga Partia Socialiste e cila nuk e ka tagrin e nevojshëm për të ndërmarrë këtë hap, pyetjet e socialistëve i janë bashkangjitur atyre të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Europës Torbjon Jagland.Pyetjet kanë të bëjnë me sigurinë juridike të procesit që ndodhi pas datës 14 Maj kur kandidati Edi Rama u shpall fitues me 10 vota më shumë se rivali Lulzim Basha.

1-Si duhet të trajtoheshin nga KQZ fletët e gjetura në kutitë e gabuara?
2-A mundej KQZ që pas përfundimit të procesit së numërimit me 14 Maj të vlerësonte votat e hedhura gabim dhe të nxirrte një tabelë të re duke ndryshuar rezultatin?
3-A jemi përballë një pavlefshmërie të paevitueshme pasi nga tabela e rezultatit të KQZ dalin më shumë fletë të gjetura në kuti se sa numri votuesve?
4-A ishin zgjedhjet e 8 Majit të lira dhe të ndeshme sipas standardeve?

Për këto pyetje Partia Socialiste pret opinionin e këtij Komisioni.Kjo është hera e parë që Komisionit të Venecias do t’i duhet të analizojë problematikën e pretenduar nga PS për zgjedhjet e 8 Majit duke shënuar rastin e parë kur zgjedhjet shqiptare do të marrin një opinion të specializuar për këtë cështje, mbase për t’i dhënë fund njëherë e mirë debateve njëkohësisht për të certifikuar apo kundërshtuar veprimet e KQZ.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA