Shkodër-Hani i Hotit, asfaltohen km e para

11/06/2011 08:15

Kanë filluar të asfaltohen kilometrat e parë të segmentit rrugor Shkodër-Hani i Hotit, konkretisht segmenti në dalje të Koplikut, si dhe në by-pass-in e Bajzës.

Brenda 3 muajve të ardhshëm pritet të asfaltohen pjesë të qenësishme të këtij segmenti, duke ndikuar dhe në përmirësimin e trafikut në këtë segment.

Aktualisht po punohet në të gjithë pjesën urbane dhe ekstra-urbane, në gjashtë urat dhe në vepra të tjera arti, pjesë të këtij segmenti.

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, inspektoi ecurinë e punimeve në këtë segment, ku të pranishëm ishin prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, si dhe drejtuesit e firmës italiane që po kryejnë punimet.

Gjatë fjalës së tij, ministri Olldashi u shpreh se aktualisht është kaluar faza më e vështirë e punimeve, konkretisht “faza e nëntokës” në pjesën urbane të rrugës, dhe të shpronësimeve që shpeshherë kanë paraqitur problematika specifike.

Ndër të tjera, ministri theksoi se aktualisht është duke u ecur shpejt drejt fazave të tjera të ndërtimit të rrugës, në mbushjen, në rilevimet, si dhe në disa segmente dhe me shtrimin e asfaltit.

“Brenda do të kemi një trafik shumë më të lirë”, tha ministri i Transporteve, duke pasur parasysh sezonin turistik që, siç dihet, rrit në mënyrë të ndjeshme trafikun e mjeteve që vijnë dhe shkojnë drejt Malit të Zi nga Pika Kufitare e Hanit të Hotit.

Ndërtimi i këtij segmenti rrugor me një gjatësi 39 km është një bashkëfinancim i qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare që kap vlerën e rreth 31.5 milionë eurove.

Top Channel