Dëbimi i romëve, reagojnë ambasadorët

16/03/2011 13:40

Bashkimi Europian , Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE kërkojnë nga autoritetet shqiptare të hetojnë largimin me dhunë të familjeve rome dhe t’u ofrojnë ndihmë të shpërngulurve.

Në një deklaratë të përbashkët dhënë njëzëri nga ambasadori Alexander Arvizu, kreu i prezencës së OSBE, Eugen Wollfarth dhe shefi i delegacionit të BE-së në Shqipëri ngrejnë shqetësimin për dëbimin e keqtrajtimin e familjeve rome në Tiranë.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe delegacioni i BE-së në Shqipëri janë informuar se prej 20 shkurtit 2011, për disa ditë, se dhjetëra familje rome janë larguar me forcë nga vendqëndrimi i tyre pranë qendrës së Tiranës nga persona të paidentifikuar, të cilët u vunë zjarrin barakave ku ata jetonin dhe i përzunë prej tyre. Ne vërejmë se, si pasojë e këtyre veprimeve, pati lëndime të rënda dhe një numër i madh njerëzish, duke përfshirë edhe fëmijë, u detyruan të zhvendoseshin nga vendbanimi”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të selive diplomatike.

Më tej, deklarata trepalëshe thekson se, në opinionin e tij për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim, Komisioni Evropian ka identifikuar luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjen e të drejtave të romëve si fusha parësore, të cilave u duhet kushtuar vëmendje e vecantë nga autoritetet.

Në këtë frymë, thuhet më tej në deklaratë, u bëhet thirrje autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e duhura për hetimin e ngjarjes shqetësuese të shkurtit për të siguruar që veprime të tilla të mos përsëriten më.

Të tre ambasadorët thonë në deklaratë se i nxisin autoritetet për të siguruar asistencën e nevojshme sociale për strehimin e atyre njerëzve që kanë mbetur të pastrehë.

Në fund deklarata mbyllet: “OSBE, SHBA dhe BE bashkohen me përfaqësuesit e shoqërisë civile në thirrjen për t’i dhënë fund diskriminimit dhe dhunës ndaj familjeve dhe fëmijëve romë”.

Skandali i dëbimit, keqtrajtimit dhe më pas djegien e barakave të 120 romëve në Tiranë u denoncua publikisht nga Top Channel, ndërsa disa nga të keqtrajtuarit dhanë dëshmi të dhunës për katër netë me radhë ndaj tyre dhe familjeve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA