Numërimi mbrapsht ka filluar. Shqipëria bëhet gati të ndajë trofeun e dytë sezonal, atë më pak të rëndësishme për nga prestigji, Kupën e Shqipërisë, pasi titulli kampion të përvetësuar zyrtarisht nga Dinamo.
Kjo enigmë do të qëndrojë e tillë deri në 9 maj, kur Vllaznia dhe Besa do të zbresin në “Qemal Stafa” për të matur forcat një ndeshje të vetme. Rëndësia e kësaj përballje është e madhe për të dy ekipet, të cilat në këtë prag-sfidë ngjajnë me një “bunker”. Drejtuesit përkatës të të dy klubeve kërkojnë të mbajnë sa më larg futbollistëve të tyre presionin e madh dhe atmosferës së ndezur.
I gjithë përqendrimi i lojtarëve në këtë periudhë duhet të shkojë për parapërgatitjen ideale në prag të finales. Ata që flasin janë vetëm presidentët, të cilët përveçse lartësojnë kualitetet e ekipeve të tyre, flasin për premio të majme. Nga njëra anë Valter Fushaj i kuqebluve ka deklaruar një shpërblim prej 50 milionë lekësh të vjetra, nëse djemtë e Edi Martinit do të fitojnë të drejtën për të ngritur Kupën.
Por kjo shumë mund të shtohet, pasi drejtuesit shkodranë i kanë bërë thirrje bashkisë së qytetit të tyre dhe dashamirësve të Vllaznisë, të kontribuojnë në rritjen e premios. Nga ana tjetër, kundërpërgjigjja e Nexhat Bizhdilit të verdhezinjve është e menjëhershme. Ai u ka premtuar lojtarëve të tij një premio të majme në prag të finales. Xhati ka preferuar të mos bëjë publike shifrat, por ka zgjedhur ta bëjë këtë vetëm 48 orë para ndeshjes, gjë që nënkupton se komunikimi do t’ua bëjë lojtarëve të tij, kur të jenë të grumbulluar në vigjilje të takimit. Pas kësaj do të publikojë atë para mediave.
Për shkodranët, kjo është ndeshja e vitit. Ata kanë luajtur një sezon të shëmtuar, ku vetëm në fundin e fazës së dytë dhe në fillimin e te tretës kanë mundur të dalin nga zona e ftohtë e rënies nga kategoria, edhe pse janë ende të rrezikuar matematikisht. Gjithsesi, Kupa do të ishte një shpëtim për ta, pasi do e mbyllini sezonin e tyre jo vetëm me një trofe, por edhe me një biletë për të udhëtuar drejt Europa League. Kavajasit, të cilët kanë qëndruar gjatë gjithë këtij sezonin pranë kreut, tashmë e kanë harruar titullin kampion dhe kanë një vend të dytë thuajse të garantuar në klasifikim, i cili u mundëson të luajnë në Europë.
Por trofeu i Kupës së Shqipërisë do të ishte “qershia mbi tortë” e një sezoni të mrekullueshëm të tyre nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro. Rikthimi i këtij të fundit, përveç rregullimit të një “gabimi” nga Bizhdili, nënkupton edhe një element cilësor dhe shumë të rëndësishëm në pankinë, çka ka rezultuar edhe kartë fituese për presidentin e Besës në këtë sezon.
Ndërsa kavajasit vijnë në këtë sfidë pa dëmtime dhe mungesa, te Vllaznia situata duket më e vështirë. Pas Liridon Lecit të skualifikuar, trajnerit Martini do t’i duhet t’i bëjë llogaritë pa mbrojtësin malazez, Mervjaleviç, i cili ka pësuar një dëmtim në gju. Kjo është një dhimbje koke për teknikun shkodran, i cili e kishte llogaritur malazezin si alternativën zëvendësuese për Lecin e skualifikuar. Po ashtu në dyshim është edhe portieri Grima.
Top Channel