Shpallja parakohe e Dinamos Kampione e Shqipërisë, e ka zbritur vëmendjen e tifozëve në fundin e tabelës së klasifikimit, ku janë 7 skuadra që luftojnë për mbijetesë në Superligë.
Diferenca e vogël e pikëve mes skuadrave nga vendi i 5 deri tek ai i 11 bën që ndeshjet e javëve të fundit të jenë vendimtare për të ardhmen e këtyre ekipeve.
Bujaria e Dinamos kampione ka vazhduar edhe këtë fundjave, ku blutë janë mundur minimalisht 1-0 nga Shkumbini. Goli i Mustafajt i ka dhënë fitoren peqinasve që ngjiten në kuotën e 42 pikëve, që gjithsesi nuk e kanë siguruar qëndrimin në Superiore.
Një gol shumë i dyshimtë dhe një gjykim jo shumë i mirë i Taullaut kanë ndikuar në fitoren 2-1 të Apolonisë në “Loni Papuciu”, përballë rivalëve direkt për mbijetesë, Kastriotin.
Krutanët kaluan në avantazh me Pemën në pjesën e parë, por në të dytën Apolonia barazoi shifrat me një gol të dyshimtë të Bërkiç, i kontestuar gjatë dhe ashpër nga krutanët. 7 minuta para përfundimit të ndeshjes, sulmuesi serb Bërkiç shënoi golin e fitores për Apoloninë që tashmë ngjitet në vendin e 9 me 38 pikë.
Tifozët durrsakë kanë pësuar zhgënjimin e radhës nga skuadra e tyre, pasi këtë javë Teuta barazoi në fushën e vet pa gola me Skënderbeun. Një situatë jo shumë e mirë për ekipin e Ylli Shehut që është futur mes ekipeve që luftojnë për mbijetëse.
Vllaznia ka barazuar me vështirësi 1-1 në “Loro Borici”, me Flamurtarin, duke mos arritur t’ia rrëmbënin vlonjatëve vendin 6 në klasifikim.
Besa ka mundur 1-0 Laçin në fushën e këtyre të fundit, një fitore kjo që i forcon pozitat kavajasve në vendin e dytë, dhe zbret laçianët në vendin e 4.
Ka fituar edhe Tirana këtë fundjavë, bardheblutë e Starovës mundën 1-0, Gramozin e rënë tashmë në Kategorinë e Parë dhe rikthehen sërish në vendin e 3 në klasifikim.
Top Channel