Shkodra bëhet gati për përmbytje

20/04/2010 19:45

Mjaftuan vetëm 24 orë reshje që situata në liqenet e hidrocentraleve në lumin Drinit të shkojë sërish në pikën e emergjencës.

Prurjet po rrisin me 1 centimeter në orë nivelin në Fierzë dhe hapja e portave të shkarkimit ka bërë që në ultësirën e Nënshkodrës të ndizet sërish alarmi i përmbytjeve masive.

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile u mblodh me urgjencë për përballimin e situatës së tretë të krijuar në harkun kohor të katër muajve në Shkodër.

Situata ka precipituar në mënyrë të shpejtë për shkak të ngritjes së nivelit të liqeneve në kaskadën e Drinit.

Shkarkimi total nga liqenet e kaskadës së Drinit ka shkuar rreth ores 14 në 2 mijë e 60 metër kub në sekondë, ndërsa paraditen e se martës ishte pothuaj gjysma.

“Komisioni i Emergjencave Civile do të vërë në gatishmëri fazën e parë të planit të evakuimit për pjesët në rrezik afër njollës së përmbytjes, ndërkohë që së bashku do të monitorojmë situatën e prurjeve e të shkarkimeve dhe domethënien e kësaj për nivelet e ujit përgjatë argjinaturës së Bunës dhe për mundësinë e zgjerimit të njollës së përmbytjes për të përfshirë shtëpi banimi apo zona të banuara”, ka deklaruar gjatë mbledhjes ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Më herët alarmin e dha Sekretarjati teknik për shkarkimin në liqenet e Drinit, i cili u mblodh me urgjencë në mesditë dhe kërkoi vlerësimin maksimal të situatës nga Ministria e Brendshme për të marrë masat për t’i bërë ballë një vale të re përmbytjesh.

Drejtues të KESH-it nuk dhane shpjegime se në cfarë nivelesh janë mbajtur kuotat e liqeneve nga përmbytja e mëparshme, por të dhënat e fundit tregojne se ato kanë qenë pranë kuotave të emergjencës dhe prekën pikën kritike me një valë reshjesh thuajse të zakonshme.

Top Channel