Situata e krijuar nga Covid 19 është duke e futur median shqiptare në një krizë të thelle si pasojë e tërheqjes së biznesit nga reklamimi.

Shumë vende si Spanja, Greqia dhe Mali i Zi për ti shpëtuar mediat nga kolapsi kanë ndërmarrë një sërë lehtësirash. Ndërsa qeveria shqiptare për momentin nuk ka dhënë asnjë sinjal për të ndihmuar kompanitë mediatike në vend ku janë punësuar më shumë se 6000 persona.

Agron Gjekmarkaj, anëtarë i AMA në një intervistë online me Top Channel thotë se qeveria shqiptare duhet të jetë në krah të medias në këto kohë të vështira që po kalon.

“Mendoj që qeveria shqiptare është e vonuar në këtë drejtim dhe duhet ta ndihmoje median shqiptare. Është e domosdoshme jo vetëm për mirënjohjen për punën që ju bëni në terren pasi mendoj se secili prej jush do të kishte dëshirë që në këtë stres psikologjik të rrinte në karantinë dhe të ishit të sigurtë por ju jeni rrugëve duke intervistuar dhe informuar. Unë besoj se pas doktorëve po kryeni punën më të vështirë dhe të dobishme duke iu gjetur në ndihmë shoqërisë. Në këtë pikëpamje jo vetëm për mirënjohje morale por të gjithë fondamenti e demokracisë që nuk bën dot pa informimin dhe pa median është e domosdoshme që qeveria të ndërhy madje të ndërhy me bujari për të ndihmuar gazetarët dhe median në përgjithësi. Por kam frikë duke ditur raportin që ka kjo qeveri me mediat e cila tentoi të bëj një ligj për ti mbyllur gojën medias por fatkeqësisht dështoi duke i quajtur herë kazan e herë kadrinj kam frikë se nuk do ndërhy në masën e duhur dhe nëse e bën ka për ta bërë vonë dhe në mënyrë simbolike”.

Muhamed Veliu: Folët për një ndërhyrje të nevojshme në çfarë forme mund të jetë ajo?

“Unë nuk jam financier nga profesioni por mendoj se ndihma duhet të jetë e gjithanshme ku ka shteti mundësi të ndërhy. Me suport financiar pse jo me një paketë ligjore për mediat të ndërhy ta bëj me ligj që në situatë të jashtëzakonshme kur ato janë të ekspozuara përpara një rreziku real kur hiqen reklamat kur bien mbështetja financiare është e domosdoshme të kërkohet konsensusi për një ligj mbështetës të medias në tërësi. Qoftë mediat vizive qoftë mediat e shkruara”.

Top Channel