Toka është e sheshtë/ Teoria në të cilën besojnë brazilianët

27/02/2020 16:31

Sipas Anderson Neves, toka është e sheshtë dhe nuk rrotullohet, dielli dhe hëna janë afër tokës, brenda një mbuloje të madhe që rrethon planetin tonë të sheshtë. Ashtu si edhe ai, 7 për qind e popullatës në Brazil mendon se toka është e sheshtë, sipas institutit brazilian të sondazheve datafolha. Dhe lëvizja, është veçanërisht aktive në internet dhe në platformat e medias sociale.

Sot në Brazil ne flasim për më shumë se 11 milionë njerëz që e besojnë se toka është e sheshtë. Dhe këta njerëz, ndoshta jo të gjithë, por pjesa më e madhe, bëjnë kërkime, pyesin, sepse ne nuk duam të jetojmë një gënjeshtër

Sipas Neves, ata që besojnë se toka është e sheshtë, kanë bërë kërkimet dhe eksperimentet e tyre. Kur ata shohin në horizont, kur shkojnë në plazh, kur shkojnë në majë të një mali dhe i bëjnë fotografi detit apo thjeshtë horizontit, ajo që shohin është gjithnjë e sheshtë, është gjithnjë në të njëjtin nivel. Nuk ka asnjëherë një harkim sic tregohet në librat e shkencës.

Për shumë nga ata që besojnë tek toka e sheshtë, kjo teori mbart një ndjesi paqeje. Sepse ideja e një globi shoqërohet me kërcënime: një meteor mund të bjerë dhe të shkatërrojë gjithçka; burimet natyrore do të mbarojnë, e të tjera si këto. Kur ne e kuptojmë se jemi në një tokë të sheshtë, zbulojmë edhe se një katastrofë nuk do të ndodhë. Se bota nuk do të vdesë…

Por, shkencëtarët thonë se toka nuk është e sheshtë dhe kjo dihet që nga koha e Galileo Galileut në fillim të shekullit të 17. Ndërkohë që grekët e lashtë e dinin këtë para më shumë se 2 mijë vjetësh. Argumentet që pretendohet se vërtetojnë se toka është e sheshtë, thonë ata, janë shumë të dobëta.

Top Channel