Detaje të reja kanë dalë në dritë nga superaksioni i zhvilluar në Maqedoninë e Veriut ku u sekuestruan 1.3 ton kokainë.
Sipas asaj që raportohet në mediat maqedonase, Top Channel mëson se aksioni anti-kokainë në fshatin Kushapek të Komunës së Sarajit është pjesë e aksionit për luftë kundër krimit të organizuar në të cilën ishin pjesëmarrës edhe forcat policore italiane, shqiptare po edhe DEA amerikane.
Lëndët narkotike ishin nisur nga Kolumbia dhe e gjithë dërgesa peshonte 1.3 tonë, por policia italiane kishte zbuluar të gjithë skemën e grupit të trafikantëve si dhe kanalin nga do të kalonte lënda narkotike.
Ndërkohë mësohet se vetëm 1 kg kokainë që kishte edhe një GPS gjurmues, ishte lënë në kamionin në fjalë pasi pjesa tjetër ishte shkarkuar. Ndërsa kamioni me banane ishte lënë që të kalonte për të shkuar në destinacionin finale.
Nga ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni kanë konfirmuar se janë arrestuar tre persona të dyshuar. Informacionet e para thonë se dërgesa e kokainës është nisur nga Kolumbia për në Bar, (Mali i Zi) e më pastaj duhej të dërgohej në Koper (Slloveni). Për momentin nuk janë zbuluar ende arsyet se pse ka ndryshuar linja dhe se si kokaina ka përfunduar në Maqedoni, respektivisht në Saraj.
Top Channel