Një anije fantazmë në breg! Stuhia Dennis rikthen “misterin e ujërave”

18/02/2020 10:37

Është rikthyer sërish në vëmendje misteri që mbulon prej kohësh anijen transportuese MV Alta, të gjatë mbi 77 metra, e cila lundron nëpër ujëra pa anëtarë të ekuipazhit.

Anija fantazmë u vërejt  duke lundruar pranë brigjeve afrikane gjashtë muaj më parë, ndërsa së fundmi u pa në brigjet e Irlandës, pas stuhisë Dennis që goditi këtë vend.

MV Alta që lundron nën flamurin e Tanzanisë,  u vërejt për herë të fundit në shtator të vitit të shkuar, nga marina mbretërore e Britanisë së Madhe në Atlantik.

Anija transportuese MV Alta u pikas të dielën, kurse zëdhënësi i rojeve bregdetare në Waterford, tha se lokacioni aktual i anijes është si rezultat i stuhisë, duke pranuar se e kanë kontrolluar dhe se brenda saj nuk e kanë gjetur askënd.

Në anën tjetër menaxheri për shpëtimin e anijeve John Tatan, pretendon se kjo anije “është një në milion”.

“Ka bredhur deri në brigjet afrikane, në perëndim të brigjeve spanjolle, në Angli e deri të Irlanda. Kurrë më herët nuk kam parë diçka të tillë”, ka shtuar ai.

Megjithatë ajo çfarë mbetet mister është se si ka ndodhur që anija e prodhuar më 1976, të përfundojë duke lundruar në Oqeanin Atlantik, duke mos pasur as edhe një njeri në të.

Top Channel