Tërmeti, fatura 1 miliardë euro/ 700 milionë euro për banesa. 300 për biznesin, shkollat dhe spitalet

24/01/2020 15:17

Fatura 1 miliardë euro që kryeministri Edi Rama deklaroi si dëm të tërmetit në takimin me homologun italian Conte është rezultat i një raporti të përbashkët mes ekspertëve të Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Komisionit Europian dhe atyre të qeverisë shqiptare.

I njohur me emrin “post disaster needs assesment” ose në shqip “vlerësimi i nevojave post fatkeqësisë”, raporti konfidencial ende nuk ka marrë trajtën përfundimtare dhe është në formën e draftit. Por Top Channel ka mundur të sigurojë detajet e draftit.

Grupi ndërkombëtar i vlerësimit të dëmeve, që ka përgatitur raportin kryesohet nga Milva Ekonomi.

Sipas vlerësimit, 700 milionë euro janë dëme në banesat e qytetarëve, të cilat janë shembur plotësisht ose kanë dëmtime të pjesshme. 150 milionë euro është fatura e dëmeve tek fabrikat dhe njësitë prodhuese të biznesit, ndërsa pjesa e mbetur prej 150 milionë eurosh të tjera janë dëme në veprat publike si shkollë rrugë dhe spitale.

Edhe pse raporti është asistuar nga ekspertët ndërkombëtar të OKB-së, BE-së dhe Bankës botërore, rritja e faturës në 1 miliardë euro mund të jetë taktikë e qeverisë për të tërhequr sa më shumë para nga donacionet. Burime nga grupi hartues I thanë Top Channel se ky raport do t’i dorëzohet konferencës së donatorëve që do të mbahet në datën 17 shkurt, e kryesuar nga presidentja e Komisionit Europian Ursula van der Leiden.

Në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar të mobilizojë të paktën 100 milionë euro nga donatorët, para të cilat vijnë falas në formën e grantit dhe nuk e rrisin borxhin publik. Por shifra e saktë e donacioneve që do të arrihen të grumbullohen do të mësohet vetëm pas konferencës dhe angazhimeve që do të marrin qeveritë e vendeve të tjera./Klodian Tomorri/

Top Channel