PD tregon kryebashkiakun e kokainës: Video është e kryebashkiakut të Bulqizës

23/01/2020 00:38

Kjo është video e kryebashkiakut që konsumon kokainë në një lokal, ndërsa Partia Demokratike thotë se ai është socialisti Lefter Alla i Bulqizës. Videon e publikoi gazetari Artan Hoxha në Abc News.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë. Kokaina, heroina, kanabisi, vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që drejton sot vendin. Janë cilësitë e kryeministrit të Shqipërisë, që i ka klonuar tek emërimet e tij politike në pushtetin lokal dhe në administratën publike ”, ka thënë Salianji.

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike dhe thotë se nuk është ai personi që shfaqet në video dhe sipas tij ky është një montazh. “Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike.

Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!”, thotë lefter Alla në një reagim në facebook. Por Partia Demokratike thotë se kjo është video shokuese dhe kërkon menjëhere shkarkimin e tij nga detyra. Po ashtu PD thotë se Alla duhet të ndiqet penalisht për moskallëzim krimi ndaj atyre që i kanë siguruar kokainën.

Top Channel