Më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë emigruar në dekadën e fundit, siç tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Kjo shifër konsiderohet mjaft shqetësuese nga demografët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Niveli më i lartë i emigrimit u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Më pas në vitin 2016 dhe 2017, emigrimi shënoi rënie, për tu rritur sërish vitin pasues.

Vendet ku kanë emigruar më së shumti kosovarët gjatë kësaj kohe kanë qenë kryesisht Gjermania, Franca, Austria, Sllovenia e Kroacia. Demografi Rifat Blaku tha për Radion Evropa e Lirë, se me shqetësues në këtë situatë është fakti që vendin po e braktis pjesa më vitale e popullsisë, të rinjtë, të cilët janë edhe më produktivë e të shkolluar.

“Është një humbje e madhe dhe një çrregullim i ndjeshëm në strukturën demografike e biologjike. Nevojitet medoemos një aksion efikas, praktik dhe institucional, për të krijuar politika që minimizojnë efektet negative të emigracionit”, tha Blaku.

Ndërkohë në 1 mars 2020, pritet të hyjë në fuqi dhe Ligji gjerman për fuqinë punëtore, i cili rregullon me detaje mbërritjen e fuqisë punëtore nga vendet jashtë Bashkimit Europian. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ekspertët presin që të ketë fluks të shtuar largimi të të rinjve nga Kosova. Sondazhet tregojnë se pjesa dërrmuese e këtyre të fundit që zgjedhin të largohen nga vendi e bëjnë këtë për shkak të mungesës së perspektivës.

Top Channel